23:27 / E Hënë, 27 Prill 2020

OBSH: Pandemia COVID-19 larg mbarimit, nuk raportohen të gjitha rastet

“Rastet dhe vdekjet në këto vende nuk raportohen të gjitha, për shkak të kapaciteteve të ulta të testimit”, tha Tedros Adhanom, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit.

Ai ka deklaruar se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) është shumë larg mbarimit, si dhe shprehu shqetësimin për tendencat në rritje në Afrikë, Evropën Lindore, Amerikën Latine dhe në disa vende të Azisë.

“Rastet dhe vdekjet në këto vende nuk raportohen të gjitha, për shkak të kapaciteteve të ulta të testimit”, tha Tedros.

Tedros mbrojti rolin e OBSH-së, të cilën presidenti amerikan, Donald Trump, e ka akuzuar se është e përqendruar tek Kina.

Javë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka pezulluar fondet për OBSH-në, duke thënë se organizata “e ka keqmenaxhuar shpërthimin e koronavirusit”.

“Ne nuk kemi asnjë mandat për t’i detyruar vendet të zbatojnë atë që ne këshillojmë”, tha Tedros, duke shtuar se vendet vet duhet të vendosin nëse i zbatojnë ose i refuzojnë këshillat e OBSH-së.

“Ndoshta, për shembull, siç ju kujtohet, më 17 janar ne shpallëm nivelin më të lartë të urgjencës globale shkaku i COVID-19. Gjatë asaj kohe, kishte vetëm 82 raste jashtë Kinës. Asnjë rast në Amerikën Latine, asnjë rast në Afrikë. Vetëm dhjetë raste në Evropë. Nuk kishte vdekje në pjesën tjetër të botës. Bota duhet ta kishte dëgjuar me vëmendje OBSH-në. Secili vend mund të kishte zbatuar të gjitha masat e saj për shëndetin publik”, deklaroi Tedros.

Tedros këshilloi të gjithë botën që të zbatojë një qasje gjithëpërfshirëse të shëndetit publik, duke zbuluar, testuar, kontaktuar dhe gjurmuar virusin.