OBSH shpall sërish linë e majmunëve si emergjencë globale për shëndetin publik

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur të mërkurën linë e majmunëve si emergjencë globale për shëndetin publik, për herë të dytë brenda dy vjetëve.
Ajo e ka marrë këtë vendim pas përhapjes së virusit në Republikën Demokratike të Kongos, si dhe në vendet fqinje, sikurse në Burundi, Kenia, Ruandë dhe Ugandë.
Lia e majmunëve përhapet përmes kontaktit të ngushtë.
Zakonisht përcillet me simptoma të buta, por në disa raste virusi mund të jetë fatal për njeriun.
Shpallja e një sëmundjeje si emergjencë globale për shëndetin publik, nënkupton që mund të ndahen më shumë fonde dhe të merren masa në nivel global për të parandaluar përhapjen virusit.
“Është e qartë që një përgjigje e koordinuar ndërkombëtare është thelbësore për t’i ndalur këto shpërthime, dhe për të ruajtur jetë”, ka thënë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.