19:39 / E Premte, 05 Prill 2019 / indeksADMonline

O’Connell: Kosova pa strategji në dialogun me Serbinë, s’duhet të ngutemi për marrëveshjen finale

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka kohë që ka stagnuar për shkak ta taksës ndaj produkteve serbe.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell, ka thënë se pavarësisht kësaj Kosovës i mungon një strategji për dialogun me Serbinë.

“Kosova nuk ka strategji për këtë proces, pavarësisht mendimeve të Kuintit dhe amerikanëve, kjo nuk do ta ndryshonte faktin e mungesës së kësaj strategjie”, tha O’Connell në një intervistë ekskluzive për Info Magazine.

“Mendojmë që ka qenë gabim sepse nuk ka pasë strategji për se çfarë kërkon dhe ofron Kosova në dialog. Kosova duhet të bëhet gati për këtë proces afatgjatë për të pasur suksese sepse është e vërtetë që mungesa e marrëdhënieve ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë pengon dhe keqpërdoret”.

“Mendoj se situata aktuale nuk është e rehatshme për Kosovën dhe derisa nuk ka marrëveshje përfundimtare do të ketë rrezik për problemet brenda saj. Por kjo nuk do të thotë se duhet të ngutemi – duhet të kemi një marrëveshje përfundimtare të zbatueshme për të dyja vendet”.

O’Connell ka thënë se për britanikët ka diçka tjetër më të rëndësishme se dialogu.

“Procesi i dialogut është i rëndësishëm, por çka është më e rëndësishme për Kosovën është sundimi i ligjit. Çka mund t’i dëmtojë marrëdhëniet mes nesh është dështimi në luftën kundër krimit të organizuar”./Indeksonline/