Oda Amerikane diskuton me guvernatorin Ismaili për zhvillimet në sektorin financiar

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një takim me guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, ku morën pjesë përfaqësues të kompanive anëtare të Odës Amerikane, përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, si edhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Stabiliteti i sektorit financiar, ecuritë kryesore makroekonomike, aktivitetet e Bankës Qendrore në aspektin e reformave kyç strategjike, si edhe avancimi i kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, ishin disa nga temat e diskutimit gjatë takimin me guvernatorin Ismaili. Ai gjithashtu elaboroi zhvillimet në sektorin bankar, duke konfirmuar adekuatshmerinë e kryesorë të shëndetshmërisë së bankave, përfshirë nivelin e kapitalizimit, likuiditetit dhe stabilitetit të sistemit financiar në përgjithësi.
Gjithashtu, Gvernatori Ismaili paraqiti veprimet e ndërmarra nga BQK-ja në drejtim të avancimit të sistemit të pagesave, përfshirë lehtësirat e pritshme për bizneset nga anëtarësimi i Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe zhvillimet lidhur me projektin për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta – TIPS Clone, si infrastrukturë e rëndësishme për gjithë ekonominë. Këto iniciativa u mirëpritën dhe u mbështetën nga anëtarët e Odës Amerikane, të cilët u dakorduan për rëndësinë e komunikimit ndërinstitucional dhe nevojën për të pasur progres në këtë aspekt, me theks anëtarësimi në SEPA.
Duke falënderuar Odën Amerikane për ftesën, guvernatori Ismaili vlerësoi të rëndësishme platformën e diskutimit me përfaqësues të sektorit privat, me qëllim të kuptimit sa më të drejtë të sfidave, duke ritheksuar rolin e tyre si kontribuues të rëndësishëm në ekonominë e vendit dhe në sektorin financiar. Tutje, ai u angazhua në diskutime me pjesëmarrësit në tema të ndryshme, përfshirë kornizën rregullative të sektorit financiar dhe qasjes në financa. U përmend nevoja e biznesit për avancimin e rregullativës për kanale alternative të financimit përmes tregut të kapitalit, mbështetjes së inovacioneve, si dhe nismave aktuale që mbështesin ndërkombëtarizimin dhe integrimit financiar të vendit me tregjet evropiane dhe ato amerikane.
Nga ana e tij, drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, falënderoi guvernatorin Ismaili për gatishmërinë për të diskutuar me përfaqësuesit e sektorit privat dhe shprehu përkushtimin e Odës… për të kontribuar në një dialog konstruktiv me BQK-në, duke vlerësuar lartë angazhimin dhe rezultatet e BQK-së në disa shtylla, duke u angazhuar në transparencë dhe komunikim të hapur ndërmjet institucioneve.