15:01 / E Premte, 24 Maj 2024 / S Z

Oda Amerikane kërkon ndërprerjen e ndërhyrjes së shtetit në tregun e karburanteve

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me ndërhyrjen e stërzgjatur të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Republikës së Kosovës në tregun e derivateve të naftës.

Sipas komunikatës për medie të OAK-së, Oda Amerikane beson se përcaktimi i çmimeve të produkteve të naftës shkel drejtpërdrejt parimet e një ekonomie të tregut të lirë, duke ndikuar negativisht në operacionet e kompanive që tregtojnë karburantet e naftës, duke kërcënuar rrjedhimisht edhe qëndrueshmërinë e tyre ekonomike.

“Ndërhyrjet e tilla paraqesin disa rreziqe për ndërmarrjet e sektorit privat, duke përfshirë paqëndrueshmërinë financiare, çrregullimin e tregut, uljen e konkurrencës, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe rreziqet ligjore dhe rregullative. Oda Amerikane e konsideron të gabueshëm interpretimin nga ana e Ministrisë të Ligjit nr. 08/L-018 për me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, duke vlerësuar se asnjëra nga rastet e cekura në nenin 15 të Ligjit nuk vazhdon të jetë e zbatueshme”, thuhet në komunikatë.