12:51 / E Premte, 08 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Oda Amerikane kërkon përpjekje gjithëpërfshirëse për çrrënjosjen e korrupsionit

Oda Amerikane në Kosovë konsideron se lufta kundër korrupsionit duhet të zërë një vend të rëndësishëm në agjendën e punës së Qeverisë së Kosovës dhe nuk duhet të mbesë në hije të çështjeve të tjera të natyrës politike.

Fuqizimi i përpjekjeve për luftimin e korrupsionit, sipas Odës Amerikane në Kosovë, do të ishte dëshmi e rëndësishme e përkushtimit të institucioneve për përmirësimin e mjedisit për të bërë biznes dhe përmirësimin e imazhit të vendit para investitorëve seriozë të huaj.

“Një gjyqësor efikas, i pavarur por llogaridhënës është jetik në çrrënjosjen e korrupsionit dhe shmangien e rrezikut të investimeve, e rrjedhimisht do të dërgonte një sinjal tejet të rëndësishëm tek investitorët e huaj potencial”, thotë Oda Amerikane në Kosovë.

Oda Amerikane kërkon transparencë më të madhe edhe në aktivitetet e prokurimit publik, si dhe zbatim të efektshëm të të gjithë mekanizmave të tjerë ligjorë për raportimin e korrupsionit, që do të ndikonte në rritjen e besimit të bizneseve dhe qytetarëve lidhur me raportimin e korrupsionit.

Përveç obligimit për të raportuar korrupsionin, bizneset në anën tjetër, duhet që në aktet e tyre të brendshme qeverisëse të përjashtojnë korrupsionin si mënyrë për të bërë biznes, thekson Oda Amerikane në Kosovë.

Sipas saj, një mjedis pa korrupsion do të ofronte mundësitë që bizneset e vogla dhe të mesme të gëzojnë në mënyrë të barabartë prospektet e rritjes.

“Një mjedis i tillë është veprimi më i mirë i mundshëm që institucionet mund të ndërmarrin për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, vende të reja të punës, liri të lëvizjes dhe siguri më të madhe”, thuhet në komunikatë.