15:22 / E Martë, 07 Gusht 2018 / indeksADMonline

Oda e Afarizmit përshëndet iniciativën për shtesa të fëmijëve

Në zyret e Oda e Afarizmit të Kosovës sot u mirëprit në takim deputetja Donika Kadaj Bujupi.

Qëllimi i këtij takimi ishte njohja reciproke e të dyja palëve si dhe diskutimi për mundësitë e bashkëpunimit. Gjithashtu, #OAK ka përshëndetur iniciativën e deputetes Kadaj Bujupi për projektrezolutën për shtesat e fëmijëve, meqërast e ftoi për të diskutuar më hollësisht për këtë çështje dhe pushimin e lehonisë, që konsiderohet si çështje me interes për mbarë shoqërinë.

Anëtari i bordit Hysni Zogaj theksoi që përveç faktit se projektrezoluta për shetsat e fëmijëve është një iniciativë shumë e mirë dhe e nevojshme për të stimuluar fëmijët e moshave 0-16 vjeç, #OAK ka punuar shumë edhe në ndryshimin e ligjit të punës, përkatësisht nenin 49 që rregullon pushimin e lehonisë.

Koordinatorja e #OAK-së Donika Gashi theksoi se bizneset kanë shumë ankesa në ligjin aktual, për vet faktin se dispozitat e tij e bëjnë që femrat të jenë të diskriminuara në punësim, duke u detyruar që bizneset private të fillojnë të jenë më selektive gjatë procesit të rekrutimit, pasiqë kjo po mbetet barrë e rëndë për bizneset. Madje fuqizimi i gruas shihet edhe si faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Kadaj Bujupi theksoi rëndësinë që ka aplikimi i shtesave të fëmijëve, duke filluar me nga 10 euro në muaj për fillim për fëmijë, e pastaj në të ardhmen rritjen edhe më shumë, për faktin se kemi arritur në një fazë ku kujdes i veçantë duhet të i kushtohet edhe politikave sociale dhe faktit se në vendet e rajonit shtesat e fëmijëve dhe stimulimet e tjera janë të aplikueshme.

Deputetja Kadaj Bujupi theksoi gjithashtu se kanë bërë hulumtim lidhur me koston e këtij propozimi dhe përfshinë rreth 80 milion euro nga buxheti shtëtëror, kosto kjo e cila është e përballueshme për faktin se investimet kapitale në infrasktrukturë janë pothuajse drejt finalizimit.

Kadaj Bujupi më tutje përshëndeti edhe rekomandimet që OAK ka përgatitur për ligjin e punës, duke theksuar se në këtë formë stimulohet punësimi i grave në sektorin privat, andaj iniciativa është jashtëzakonisht e mirë dhe do të ofrojë përkrahjen e saj dhe grupit parlamentar për të shtyrë përpara këto ndryshim – plotësime, për vet faktin se është një çështje me interes kombëtar.

Në fund të këtij takimi të dyja palët u dakorduan që të shtyjnë përpara kërkesat të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit dhe të mirën e shoqërisë.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin: anëtarët e bordit Hasan Gigollaj dhe Hysni Zogaj, përfaqësuesi nga kompania MEKA HALAL FOOD – Burim Piraj, koordinatorja Donika Gashi dhe zyrtarja Qendresa Ibrahimi.