12:27 / E Martë, 23 Shkurt 2021 / OSH

Oda e Hotelierëve: Mos i kufizoni bizneset, asnjë masë e palogjikshme nuk do të merret parasysh

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka paralajmëruar se nuk do të respektohen masat antiCOVID nga bizneset që operojnë në këtë sektor.

Kjo për shkak të neglizhencës nga partitë politike gjatë fushatës zgjedhore.

Kjo odë në reagimin e saj thekson se bizneset i kanë respektuar masat për të ruajtur shëndetin e qytetarit, por sipas saj ata u manipuluan duke u thënë se në këtë kohë gjithçka është në rregull.

“Që nga fillimi i pandemisë, shumë biznese kanë pësuar shumë keq me dëmet dhe humbjet që u janë shkaktuar. Gjatë krejt kohës bizneset në përgjithësi kanë qenë të kujdesshëm në respektimin e masave dhe kanë qenë të gatshëm të bashkëpunonin në çdo aspekt për mbrojtjen e qytetarit”.

“Mirëpo nga ana tjetër, pas një viti sakrificë të të gjitha bizneseve, të gjitha subjektet politike, të gjitha pa asnjë përjashtim, e shikuan vetëm interesin e vetë. Manipuluan me popullin, duke u bërë kinse interesohemi për ju, dhe në momentin që i duhej po ky popull, u anashkaluan komplet masat duke dalë jashtë në turma, sikurse gjithçka ndërroi brenda nate, e nuk po ekziston më virusi, dhe në fund prapëseprapë me pasojat po përballen bizneset”.

Kryetari Hysen Sogojeva, tha se partitë politike u bënin copë mes veti për t’i zënë sallat e dasmave dhe odave gjatë fushatës.

“Është po ai popull që tash është “liru” e po dalin në kafene e restorante, sepse ishit pikërisht JU ata që iu thatë që çdo gjë është në rregull, mundeni me dalë lirisht. Pas të gjitha këtyre ndodhive, ÇKA janë këto paralajmërime se mundet me pasë ndalesa të reja? Po doni me i mbyll prapë bizneset a? Po doni prapë me i dënu qytetarët me gjoba e nga ana tjetër po i lini pa punë? Pikërisht në momentin kur bizneset filluan pak me u ‘’kfjell’’ dhe me punu, ju doni me i mbyll prapë a? Ku është logjika e gjithë kësaj të nderuar??”.

“Për qefet TUAJA politike desh u bonët cop nëpër salla të dasmave e në oda, ndërsa bizneset që me shumë mund punuan ditë e natë qe sa kohë vetëm sa për të mbijetuar, fare nuk i morët parasysh”.

Sogojeva bëri thirrje që të mos ketë kufizime të reja.

Sipas tij ato do të ishin të pakuptimta.

“Bizneset në fushën e gastronomisë dhe hotelierisë edhe gjatë kohës së fushatave tuaja me çdo kusht mundoheshin t’i respektonin masat e manualit, me qëllimin e vetëm ta ruajnë shëndetin e qytetarëve. Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Prof. Dr. Hysen SOGOJEVA i’u bën thirrje të gjitha bizneseve nga të gjitha sektorët vazhdoni t’i respektoni masat e manualit që i keni dhe të cilin bashkarisht e kemi punuar. Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës edhe njëherë i’u bën thirrje juve kushdo që jeni duke i planifikuar këto masa: Mos i kufizoni bizneset më, mos bëni eksperimente ndryshe asnjë masë e palogjikshme nga ju nuk do të merret parasysh dhe nuk do të respektohet”.