75 Mall Live Search
10:39 / E Premte, 13 Mars 2026 / S Z

Oda e Mjekëve mban kuvendin konstituiv, Vitia: Roli i odave i pazëvendësueshëm për standardet profesionale

Oda e Mjekëve e Kosovës ka mbajtur mbledhjen konstituive të kuvendit të legjislaturës së katërt, ku u theksua rëndësia e forcimit të standardeve profesionale dhe bashkëpunimit institucional për avancimin e sistemit shëndetësor në vend.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se roli i Odës së Mjekëve të Kosovës dhe i odave të tjera është i pazëvendësueshëm në forcimin e standardeve profesionale, në avancimin e etikës mjekësore dhe në mbështetjen e zhvillimit të vazhdueshëm profesional të mjekëve.

“Roli i Odës së Mjekëve dhe i odave të tjera është i pazëvendësueshëm në forcimin e standardeve profesionale, në avancimin e etikës mjekësore dhe në mbështetjen e zhvillimit të vazhdueshëm profesional të mjekëve tanë. Në këtë drejtim, kontributi juaj është i dukshëm, por edhe i prekshëm. Vetëm përmes programeve të edukimit vazhdues profesional, Oda e Mjekëve… bashkë me institucionet tona ka investuar diku mbi një milion euro, duke kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve profesionale të mjekëve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët tanë. Ky ishte, ky është një investim në dije, një investim në profesionalizëm dhe në cilësi të sistemit tonë shëndetësor”, tha ai.

Ai theksoi se bashkëpunimi serioz dhe konstruktiv ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Odës së Mjekëve… është i domosdoshëm dhe se ky bashkëpunim është reflektuar në shumë procese për sistemin shëndetësor.

“Prandaj, një bashkëpunim serioz dhe konstruktiv ndërmjet institucioneve tona, në këtë rast Ministrisë së Shëndetësisë dhe Odës së Mjekëve…, është shumë i rëndësishëm, mos të them i domosdoshëm. Ky bashkëpunim është reflektuar në shumë procese për sistemin shëndetësor, duke dëshmuar se kur ka institucionistë dhe profesionistë dhe ata punojnë së bashku, rezultatet çdoherë janë në dobi të pacientëve, por natyrisht edhe në dobi të profesionit mjekësor”, tha ai.

Duke folur për procesin zgjedhor brenda Odës…, Vitia e cilësoi atë si moment të rëndësishëm institucional dhe hap drejt konsolidimit të mëtejmë të këtij institucioni.

“Zgjedhjet të cilat po mbahen në kuadër të Odës… janë një moment shumë i rëndësishëm institucional dhe një hap tjetër në konsolidimin e këtij institucioni. Proceset demokratike dhe institucionale brenda organizatave profesionale janë qenësore për forcimin e tyre dhe për rritjen e besimit të gjithë anëtarëve të saj. Në këtë kontekst, vazhdimësia institucionale dhe stabiliteti në zhvillimin e Odës… janë në interes të dyfishtë. Në interes të qytetarëve, të cilët presin shërbime cilësore shëndetësore, por natyrisht edhe në vetë të vetë profesionistëve shëndetësorë që kërkojnë një përfaqësim të fortë dhe një mbështetje të qëndrueshme profesionale”, tha ai.

Ministri shtoi se buxheti për shëndetësi ka arritur rreth 400 milionë euro dhe se investimet po vazhdojnë në modernizimin e infrastrukturës, pajisje mjekësore dhe blloqe operative, si edhe në rritjen e pagave.

“Buxheti për shëndetësi tashmë ka arritur rreth 400 milionë euro. Vazhdimisht bashkë me ju e me profesionistë të tjerë shëndetësorë, miq e kolegë të nderuar, po investojmë edhe në modernizimin e infrastrukturës, pajisje mjekësore inovative dhe efikase, blloqe operative. E gjithashtu ka pasur edhe rritje të pagave dhe kjo viteve të fundit ka arritur një rezultat të prekshëm ku numri, sidomos në vitin e kaluar, i mjekëve që kërkojnë të largohen nga Republika e Kosovës ka rënë ndjeshëm. Dhe këto janë natyrisht zhvillime që na inkurajojnë të gjithëve bashkë, por që njëkohësisht kërkojnë nga ne prapë përpjekje të përbashkëta dhe të vazhdueshme për të vazhduar përmirësimin e kushteve të punës, zhvillimin profesional dhe sidomos perspektivën për mjekët tanë të rinj. Për këtë arsye, forcimi më tej i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Odës së Mjekëve mbetet një prioritet i rëndësishëm”, tha ai.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, shpalli hapjen e punimeve të kuvendit të legjislaturës së katërt, duke theksuar përgjegjësinë që kanë marrë përfaqësuesit e zgjedhur.

“Ky obligim që kemi marrë nga kolegu ynë, duhet të shkojë në vend dhe t’i bëjmë krenarë edhe ata për zgjedhjen tonë. Duke mos dashur të, të zgjas, shpall zyrtarisht edhe fillimin e punimeve të Kuvendit të parë të, të legjislaturës së katërt të Odës së Mjekëve tgë Kosovës. Suksese edhe na priftë e mbara”, tha ai.