75 Mall Live Search
11:23 / E Hënë, 12 Shkurt 2024 / L K

Oda e Mjekëve shpreh ngushëllime për vdekjen e kirurgut, Halil Tanaj

Mbrëmjen e djeshme ka vdekur kirurgu abdominal i QKUK-së, Halil Tanaj.

Vdekjen e tij e konfirmoi kolegu i tij, kirurgu i përgjithshëm, Enver Fekaj.

Ndërsa sot, Oda e Mjekëve të Kosovës ka shprehur ngushëllimet për humbjen e kirurgut Tanaj.

Oda e Mjekëve përmes një postimi në Facebook ka shkruar për jetën e Tanajt, dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve e të afërmve të të ndjerit.

“Ndahet nga jeta doktor, Halil Tanaj, (02.11.1970 – 11.02.2024). Studimet për Mjekësi të Përgjithshme i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1997. Ndërsa specializimin për Kirurgji të Përgjithshme e përfundoi në vitin 2004. Halil Tanaj ka kryer provimet e parapara për studimet pasdiplomike duke mbrojtur tezën e magjistraturës dhe mori gradën Magjistër i Shkencave të Mjekësisë, në vitin 2011”, shkruan Oda.

“Për vite me radhë, Halil Tanaj u shërbeu qytetarëve të Prishtinës në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, në QKUK. Oda e Mjekëve të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij!”, u shpreh OMK-ja.