Oda Ekonomike e Kosovës: Ndërhyrja në çmimet e karburanteve cenon tregun e lirë
Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vendosjen e marzhave maksimale për produktet e naftës. Sipas OEK-ut, ky vendim ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë në tregun e lirë dhe cenon parimet e konkurrencës së drejtë.
“Vendosja e kufijve të çmimeve për karburantet nuk është në përputhje me parimet e ekonomisë së tregut të lirë dhe rrezikon të çrregullojë funksionimin normal të tregut, duke kufizuar lirinë e operatorëve ekonomikë” tha OEK-u.
OEK-u thekson se çmimet e karburanteve përcaktohen nga një kombinim faktorësh ndërkombëtarë dhe lokalë, duke përfshirë luhatjet e çmimeve në tregjet globale, kostot e transportit, zinxhirët e furnizimit dhe zhvillimet gjeopolitike. Masa të tilla administrative nuk reflektojnë këto realitete dhe mund të ndikojnë negativisht në furnizimin dhe konkurrencën.
Gjithashtu, OEK-u vë në pah se vendimi është marrë nga një qeveri në detyrë, e cila ka mandat të kufizuar ligjor dhe institucional. Praktika dhe vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës tregojnë se vendime me ndikim të gjerë ekonomik duhet të merren nga qeveritë me mandat të plotë dhe legjitimitet të plotë parlamentar.
Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë mekanizma alternative për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë, pa ndërhyrje direkte në çmime.
OEK-u mbetet e përkushtuar për të mbështetur një treg të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues, duke ofruar gjithashtu dialog konstruktiv me institucionet për të gjetur zgjidhje që mbrojnë konsumatorët dhe bizneset njëkohësisht.

