Oda Ekonomike kërkon transparencë dhe respektim të procedurave ligjore në rastin e qumështores “VITA”
Oda Ekonomike e Kosovës po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit lidhur me kontrollin dhe ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit të qumështores “VITA”.
Pretendimet e ngritura nga kompania për tejkalim të kompetencave nga institucionet përgjegjëse janë serioze dhe, nëse vërtetohen, do të përbënin një cenim të sigurisë juridike të bizneseve dhe të besimit të investitorëve në institucionet publike.
Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga institucionet kompetente të ofrojnë sa më parë sqarime të plota dhe transparente mbi bazën ligjore, proporcionalitetin dhe procedurat e ndjekura gjatë ndërmarrjes së këtyre veprimeve.
Oda Ekonomike e Kosovës rithekson se siguria ushqimore dhe zbatimi i legjislacionit janë obligime të panegociueshme për çdo operator ekonomik dhe për çdo institucion përgjegjës.
Megjithatë, kontrollet inspektuese duhet të zhvillohen në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të barabartë ndaj të gjithë operatorëve ekonomikë, duke garantuar respektimin e procedurave ligjore dhe shmangien e çdo perceptimi për trajtim selektiv.
Njëkohësisht, Oda rikujton se prodhuesit vendorë kanë ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me konkurrencën nga importi dhe kanë kërkuar forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbështetje më të madhe institucionale për prodhimin vendas, në përputhje me legjislacionin dhe marrëveshjet tregtare në fuqi.
Pavarësisht këtyre kërkesave, deri tani nuk janë marrë masa konkrete për adresimin e tyre. Veprimet e ndërmarra ndaj njërit prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë krijojnë shqetësim në komunitetin e biznesit, pasi mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë te punëtorët, fermerët furnizues, zinxhiri i furnizimit dhe ekonomia vendore në tërësi.
“VITA” grumbullon mbi 20 milionë litra qumësht në vit nga më shumë se 1,000 fermerë në mbarë Kosovën, duke përbërë një hallkë të rëndësishme të sektorit të prodhimit vendor dhe agro-ushqimor.
Çdo ndërprerje e aktivitetit të saj mund të ketë pasoja jo vetëm për kompaninë, por edhe për fermerët, familjet e tyre dhe të gjithë zinxhirin e furnizimit. Për këtë arsye, është në interes të publikut dhe të komunitetit të biznesit që institucionet kompetente të sqarojnë sa më shpejt rrethanat e këtij rasti. Oda Ekonomike e Kosovës bën thirrje për:
- transparencë të plotë institucionale në trajtimin e këtij rasti;
- respektim të procedurave ligjore dhe të drejtave të operatorëve ekonomikë;
- trajtim të barabartë dhe të paanshëm të të gjithë operatorëve ekonomikë;
- politika të qëndrueshme që mbështesin konkurrencën e ndershme dhe zhvillimin e prodhimit vendor.
Ruajtja e standardeve të sigurisë ushqimore dhe mbështetja e prodhimit vendor duhet të ecin paralelisht, në interes të konsumatorëve, ekonomisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
Siguria juridike, parashikueshmëria institucionale dhe partneriteti ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit mbeten parakushte themelore për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e prodhimit vendor.

