12:52 / E Mërkurë, 04 Korrik 2018 / indeksADMonline

Oda Ekonomike ndan mirënjohje për ‘Shell’-in

Oda Ekonomike e Kosovës i ka ndarë mirënjohje kompanisë “Royal Dutch Shell”, për kontribut në zhvillimin ekonomik, përmirësim të imazhit dhe promovimin e Kosovës përballë investitorëve të huaj.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se po e nderojnë një kompani që ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e imazhit po i ndajmë këtë mirënjohje Shellit. Dua të besoj që prania e Shellit në Kosovë është një mesazh për të gjitha brendet evropiane që t’ia mësyjnë Kosovës”, tha ai.

Wim Riegman, përfaqësuesi nga Shell, tha se nga bashkëpunimi me Al Petrolin po i japin qytetarëve të Kosovës derivate cilësore. Ai falënderoi Odën Ekonomike të Kosovës për mirënjohjen që i ka ndarë.

“Nga ana e Shellit dua të them se jemi shume të nderuar që jemi në Kosovë. Tani mund të shesim derivate shumë kualitative edhe qytetarëve fë Kosovës”, tha Riegman. Pronari i Al Petrol, Latif Kryeziu, tha se me ardhjen e Shellit në Kosovë kanë përmirësuar imazhin e Kosovës. “Ne mburremi me aktivitetin e Odës që është gjithmonë në përkrahjen tonë, siç është rasti sot që i ndan mirënjohjen Shellit. Ne këtu në Kosovë kemi një brend më të mirin dhe më këtë i ka larguar brengat për cilësinë e derivateve. Me ardhjen e brendit më të njohur ne kemi ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Tash i kemi hapur dyert edhe investitorëve të huaj që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Me këtë kemi kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Kryeziu.