14:29 / E Diele, 18 Korrik 2021 / AR

Odaloviqit iu ndalua hyrja në Kosovë, Kurti kishte kërkuar përjashtimin e tij nga bisedimet

Një delegacion i Beogradit i udhëhequr nga kryetari i Komisionit qeveritar serb për Personat e Zhdukur, Velljko Odalloviq, nuk u lejua të hyjë në Kosovë këtë mëngjes. Kështu pohoi Odalloviq, i cili u ankua në mediat serbe.

Odalloviq tha për Tanjug se delegacioni serb ishte në pikëkalimin kufitar në Jarinje rreth orës 8:00 të mëngjesit, por që sipas tij, pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk i lejuan ata të hynin në Kosovë.

“Polici tha që unë isha i ndaluar të hyja. Unë kërkova një shpjegim, pas së cilës ai i thirri autoritetet, por përsëri mori një përgjigje negative pa asnjë shpjegim. Unë pashë vetëm një letër në të cilën shkruhej me shkronja të mëdhaja se ishte e ndaluar që unë të hyja”, tha Odalloviq.

Ai u ankua për vendimin, duke i akuzuar institucionet e Kosovës.

“Një veprim i tillë i Prishtinës është i papranueshëm dhe i papërshtatshëm dhe është një konfirmim tjetër i arrogancës së institucioneve të Prishtinës”, tha Odalloviq.

Përkitazi më ketë temë, “Indeksonline”, ka provuar të marrë një qëndrim nga zv/ministr i Jashtëm Kreshnik Ahmeti, por edhe anëtarë të kabinetit të ministers Gervalla, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.