10:49 / E Premte, 08 Shkurt 2019 / indeksADMonline

OEAK shpreh shqetësimin për plaçkitjet ndaj bankave dhe bizneseve

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me plaçkitjet e vazhdueshme të bankave, të cilat kohët e fundit janë bërë kërcënim për tërë sektorin dhe shoqërinë, duke marrë përmasa alarmuese.

OEAK konsideron sektorin bankar në Kosovë si një nga sektorët më vital për zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas një komunikate të OEAK, një sistem i qëndrueshëm bankar konsiderohet parakusht për rritjen e investimeve në vend, si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

“Plaçkitjet e armatosura nuk kërcënojnë vetëm perceptimin e përgjithshëm për sektorin bankar, por përbëjnë edhe goditje kundër zhvillimit ekonomik të vendit, e rrjedhimisht edhe kundër të ardhmes së Kosovës. Në sytë e investitorëve të huaj, rastet e tilla japin përshtypjen e sistemit të dobët të sundimit të rendit dhe të ligjit, duke rritur pasigurinë e të bërit biznes. Oda Ekonomike Amerikane u bënë thirrje autoriteteve të sigurisë, si dhe institucioneve të tjera përgjegjëse të vendit që të trajtojnë këtë çështje me seriozitet të lartë, duke marrë masa më të rrepta për ofrimin e sigurisë më të madhe për bankat dhe bizneset e tjera, si dhe ruajtjen stabilitetit të përgjithshëm në vend”, thuhet në reagimin e OEAK.