13:44 / E Mërkurë, 05 Shkurt 2020

OEK-u, kërkon nga qeveria “Kurti” të ketë prioritet zhvillimin ekonomik dhe vendet e punës

Ekzekutivi i ri i Kosovës duhet të ketë prioritet zhvillimin ekonomik të vendit, e po ashtu edhe ofrimin e vendeve të reja të punës. Kjo me qëllim që çdo qytetar të ketë mirëqenie më të mirë, e po ashtu vende pune të qëndrueshme.

Pavarësisht se këto kanë qenë një nga premtimet e shumta të  secilës nga qeveritë deri tani në Kosovë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Migrimi vazhdon të jetë problem për Kosovën, për çka edhe shoqata të sektorëve të ndryshëm në vend  shprehin shqetësimin se fshatrat kanë filluar të zbrazen.

Kështu u tha sot në një takim të Odës Ekonomike të Kosovës me tri agjencitë shtetërore:  Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka renditur prioritetet që duhet të ketë Qeveria e re, duke theksuar se Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik.

“Ne besojmë se Qeveria duhet të ketë prioritet zhvillimin ekonomik. Ka pasur gjithmonë proklamim që zhvillimi ekonomik është prioritet, mirëpo pastaj veprimet nuk kanë qenë të tilla, ose dinamika nuk ka qenë e tillë për ta arsyetuar prioritetin. Një prioritet zhvillimor për secilën qeveri garanton, pastaj mirëqenie, garanton qeverisje stabile, garanton ligje më të mira, garanton normalisht edhe atë që po na shqetëson të gjithëve viteve të fundit, rritja e migrimit apo ajo që është shumë më e dëmshme për ekonominë edhe vet ikja e trurit. Dhe besoj që aty duhet të jetë një ndër fokuset, duhet të jetë që të kemi një qasje që nuk e kemi këtë hendekun që e kemi me fuqinë punëtore edhe me atë çfarë ofron sistemi arsimor”, tha ai.

Krahas kësaj, Rukiqi ka theksuar se Ekzekutivi i ri duhet të ketë prioritet që në vend të ofrohen vende të reja të punës të qëndrueshme, për një mirëqenie më të mirë. 

Bahri Berisha, i cili udhëheq Doganën e Kosovës, tha se janë duke rishikuar udhëzimet administrative, me qëllim që të ketë lehtësira për bizneset. Krahas kësaj, Berisha tha se kanë arritur të rrisin të hyrat për 10 për qind, për çka se kanë pasur edhe ndikimin në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Viti 2019 përkundër shumë sfidave  që ishin në nivel vendi që mund të kishin ndikim në të hyrat, prapë arriti të mbyllet diku me 1,2 miliard euro nga Dogana e Kosovës, dhe ato janë kontributet e juaja të cilat i keni dhënë për vitin 2019. Dhe gjithashtu si detyrë tjetër e kemi luftimin e ekonomisë formale, kontrabandës. Në vitin 2019 u mbyll me 97,8 për qind të deklarimit vullnetar të bizneseve. Ky tregues të themi që nuk e ka asnjë vend  në regjion, por edhe më gjerë kur bizneset në masë të madhe i përmbushin obligimet po flas për fushën e doganave, përkundër që kemi ende një 2,2 për qind që mund të ketë sfida, që vijnë prej disa vendeve të largëta”, u shpreh ai.

Një gjë të tillë e konfirmoi edhe zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës Nijazi Asllani, sipas të cilit gjatë vitit 2019 ka pasur rezultate më të mira për 10 për qind të të hyrave.

“Është një e hyrë shumë e mirë, duke pasur parasysh që rritjen e prodhimit vendor ne e kemi rritjen ekonomike e diku 4 për qind. Kurse ne realisht të hyra kemi krijuar më shumë se dyfishin mbi 10 për qind. Këto të hyra kanë ardhur si rezultat i luftimit të informalitetit, zvogëlimit të hendekut tatimor, për të cilën faktikisht e kemi ende në përmasa të larta”, tha Asllani.

Pavarësisht këtyre, shoqatat kanë kritikuar këto tri agjenci shtetërore. Sipas Ruzhdi Kurtishaj nga Shoqata e Transportit Rrugor edhe më tutje po vazhdojnë të përballen me problemin e zhdoganimit të automjeteve.

“Edhe më tej sot në vitin 2020 ne përballemi e problemit të zhdoganimit të automjeteve për udhëtarë. Ju e dini që autobusët nuk janë mjet luksoz, por është mjet i punës, ne këtë çështje e kemi ngritur në Kuvendin e Kosovës përmes shoqatës dhe Odës Ekonomike, por ne është më tutje sot nuk jemi të liruar nga pagesa e doganës për autobusët që janë si mjet i punës. Ne kemi edhe probleme më të mëdha në këtë drejtim, problemet kryesore janë të zhdoganimit të autobusëve”, tha Kurtishaj.

Enver Gruda nga Shoqata e Agrobiznesit të Imputit Bujqësor, tha se fshatrat kanë filluar të zbrazen, për çka ka fajësuar institucionet e vendit.

“Gjërat nuk i kemi mirë, hyni shiheni sa ara i kemi, sa të rinjtë po na shkojnë. Prandaj, kjo do të jetë brengosëse edhe për biznesmenët, edhe për përfaqësuesit e institucioneve tona. Për arsye se ne jemi tatëpjetë, jemi shumë keq. Nuk e kemi punën mirë, fshatrat në tërësi po na zbrazen. Këto janë gabimet tona të të gjitha institucioneve shtetërore. Kur ministria nuk e përfill fare Odën Ekonomike çfarë kemi për të diskutuar aty”, u shpreh ai.

Në këtë takim të tri agjencive shtetërore me Odën Ekonomike të Kosovës, kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci tha se prioritet i tyre është kontrolli, sipas të cilit komuniteti i bizneseve problemet që kanë pasur  çdo herë i kanë adresuar te ta.