Oferta e Trumpit për Serbinë, sipas “Kuririt”: Njiheni pavarësinë e Kosovës, në këmbim merrni 10 miliardë $, avionë F-16 dhe hyrje në BE
Presidenti amerikan Donald Trump ka hartuar, sic e quan tabloidi serb “Kurir “një ofertë të pahijshme” politike për Serbinë, që të tërheq autoritetet e Beogradit që ta njohin sa më shpejt shtetin e Kosovës.
“Ky plan, sipas burimeve të mirënjohura diplomatike, nënkupton që Serbia do të marrë 14 avionë luftarakë F-16 të ri, 10 miliardë dollarë për projekte të infrastrukturës, por edhe të shpejtojë hyrjen në BE më së largu deri më 2024” shkruan “Kurir”–, transmeton IndeksOnline.
Sipas burimeve, presidenti Trump ka vendosur ta zgjidhë krizën e Kosovës deri në mesin e vitit të ardhshëm.
Trump doli me idenë për t’i ofruar Serbisë diçka si plani “Marshall” për Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo do të kërkonte investime prej 10 miliardë dollarë kryesisht për projekte të infrastrukturës, një skuadër avionësh F-16, të paktën 14 avionë, por gjithashtu do të përshpejtonte ndieshëm integrimin evropian. Kjo do të thotë se Serbia mund të hyjë me siguri në BE deri në vitin 2024. Përveç parave dhe avionëve, Trumpi është gjithashtu i gatshëm të garantojë me shkrim lidhjet speciale midis Serbisë dhe Republikës Srpska.
Ky burim shton se oferta e Trumpit do të sillet në Beograd nga Matthew Palmer. /IndeksOnline/