75 Mall Live Search
15:18 / E Enjte, 22 Maj 2025 / MSH

OKB: 90 kamionë me ndihma arrijnë në Gaza, pas tre ditësh vonesë në pikën kufitare

Më shumë se 90 kamionë me ndihma humanitare janë mbledhur nga ekipet e OKB-së brenda Rripit të Gazës, tre ditë pasi Izraeli lehtësoi bllokadën 11-javore.

Ndihma, e cila përfshinte miell, ushqim për fëmijë dhe pajisje mjekësore, u mor nga vendkalimi Kerem Shalom të mërkurën në mbrëmje dhe u dërgua në depo për shpërndarje, shkruan BBC, transmeton IndeksOnline.

Punëtorë palestinezë shkarkojnë thasë me miell nga një kamion ndihmash në një furrë buke në Khan Younis, në jug të Gazës (21 maj 2025)

OKB-ja tha se vonesat ishin për shkak të pasigurisë përgjatë rrugës së vetme të aksesit që kishte miratuar ushtria izraelite.

Sipas OKB-së, kjo shifër nuk ishte “as afër për të përmbushur nevojat e mëdha në Gaza”.

Organizatat humanitare kanë paralajmëruar për nivele akute të urisë, midis popullsisë prej 2.1 milionë banorësh, si dhe për një përqindje të lartë të fëmijëve të diagnostikuar me kequshqyerje akute, mes mungesave të konsiderueshme të ushqimeve bazë dhe çmimeve në rritje.

Një vlerësim nga Klasifikimi i Integruar i Fazës së Sigurisë Ushqimore (IPC) i mbështetur nga OKB-ja ka thënë gjithashtu se gjysmë milioni njerëz do të përballen me urinë, në muajt e ardhshëm.

Përpara operacionit, zyrtari i lartë i Programit Botëror të Ushqimit (WFP), Antoine Renard, i tha BBC-së se problemet me mbledhjen e ndihmave lindën sepse ushtria izraelite donte që kamionët të lëviznin përgjatë një rruge në Gaza, të cilën agjencitë e ndihmës e konsideronin të rrezikshme.

Rruga, sipas tij, mund t’i linte ata në rrezik sulmi nga civilë të uritur dëshpërimisht dhe bandat e armatosura kriminale.

Një furrë buke në Deir al-Balah, në Gazën qendrore, prodhon bukë pite pasi ka marrë miell nga një dërgesë ndihme e OKB-së (22 maj 2025)

Izraeli ndaloi të gjitha dërgesat e ndihmave dhe furnizimeve tregtare në Gaza më 2 mars dhe rifilloi ofensivën e tij ushtarake dy javë më vonë, duke i dhënë fund një armëpushimi dy-mujor me Hamasin.