15:41 / E Enjte, 08 Shkurt 2024 / MSH

OKB i bën thirrje Rusisë të ndalojë deportimin me forcë të fëmijëve ukrainas

Rusia duhet t’i japë fund transferimit me forcë të fëmijëve nga Ukraina dhe të japë informacione për ata që tashmë i ka marrë dhe t’i kthejë në shtëpi, tha një komitet i Kombeve të Bashkuara më 8 shkurt.

Ukraina thotë se 20.000 fëmijë janë dërguar me forcë në Rusi që kur nisi lufta në shkurt të vitit 2022. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka quajtur këtë veprim si “gjenocid”. Rusia mohon akuzat.

Komiteti për të drejtat e fëmijëve i OKB-së, që është një panel prej 18 ekspertësh të pavarur, i bëri presion Rusisë për akuzat për dëbimin e fëmijëve gjatë një shqyrtimi të rregullt të të dhënave muajin e kaluar.

Në konkluzionet e panelit, të publikuara të enjten, ekspertët i bënë thirrje Rusisë “që t’i japë fund transferimit me forcë apo dëbimit të fëmijëve nga territori i pushtuar ukrainas”.

Rusia ka thënë se “vendosjet e fëmijëve të evakuuar janë të rregulluara, para së gjithash, me kërkesën dhe pëlqimin e tyre”.

Por, zëvendëskryetari i komitetit, Bragi Gudbrandsson, u tha gazetarëve se ekspertët kanë ardhur në përfundim se “ka dëshmi të transferimit me forcë të fëmijëve nga Ukraina për në Rusi”.

“Ne nuk mund të themi se sa është numri i këtyre fëmijëve, por e dimë që janë shumë”, tha ai.

Ekspertët i kërkuan Moskës “të ofrojë informacione lidhur me numrin e saktë të fëmijëve që janë marrë nga Ukraina dhe për vendndodhjen e secilit fëmijë”.

Komiteti, që monitoron Konventën për të drejtat e fëmijëve, po ashtu ngriti shqetësimin për raportimet se fëmijët ukrainas që banojnë edhe përkohësisht në Rusi “po iu hiqet shtetësia ukrainase në shkelje të të drejtave të tyre sipas konventës”.

Në këtë drejtim, ekspertët vunë në pah dekretin e nënshkruar muajin e kaluar nga presidenti rus, Vladimir Putin, për t’iu dhënë shtetësi ruse fëmijëve të transferuar me forcë apo të dëbuar, sipas procedurave të thjeshtuara.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhërarrestim për Putinin në marsin e vitit 2023, për akuza për krime lufte, përkatësisht për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve.

Akuza të ngjashme GJNP-ja ka ngritur edhe ndaj Maria Lvova-Belova, komsionares presidenciale të Rusisë për të drejtat e fëmijëve.

Rusia nuk është anëtare e GJNP-së dhe insiston se urdhërarrestimi ndaj Putinit është i pavlefshëm./REL/