OKB: Infrastruktura e transportit duhet të përshtatet me ndryshimet klimatike
Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se rrugët, hekurudhat, portet, aeroportet dhe rrugët ujore në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azinë Qendrore duhet të përshtaten me ndikimet e ndryshimeve klimatike.
Sipas një raporti të ri të Komisionit të Ekonomisë së Kombeve për Evropën, (UNECE) mungesa e veprimit mund të kushtojë shumë më tepër sesa investimet për modernizimin e infrastrukturës.
Raporti parashikon se gjatë periudhës 2050–2080 rrjetet e transportit do të përballen gjithnjë e më shpesh me përmbytje, temperatura ekstreme, ulje të dëborës dhe akullit, shkrirje të ngricës së përhershme dhe rritje të nivelit të detit.
Agjencia e OKB-së mbulon 56 vende në Evropë, Amerikën e Veriut, Kaukaz dhe Azinë Qendrore.
Sekretarja ekzekutive e UNECE-së, Tatiana Molcean, theksoi se sistemet e transportit janë jetike për funksionimin e ekonomive dhe shoqërive, ndërsa ndërprerjet e tyre mund të shkaktojnë pasoja të rënda dhe humbje të mëdha financiare.
Ajo nënvizoi se ngjarjet ekstreme të motit nuk janë më një rrezik i së ardhmes, por një realitet që kërkon veprim të menjëhershëm.
Sipas raportit, valët e të nxehtit do të shkaktojnë dëmtime më të shpeshta në rrugë dhe hekurudha, ndërsa përmbytjet dhe stuhitë e forta do të cenojnë funksionimin e porteve dhe aeroporteve.
Zëdhënësi i UNECE-së, Jean Rodriguez, tha se vala e fundit e të nxehtit në Evropën Perëndimore tregoi qartë rreziqet që paraqet klima për transportin, duke përmendur vonesa të trenave, anulime për shkak të deformimit të shinave, prishje të sistemeve të ajrit të kondicionuar dhe dëmtime të sinjalistikës.
Raporti parashikon se rajoni do të ketë nga 10 deri në 50 ditë shtesë në vit me temperatura mbi 25 gradë Celsius, ndërsa disa zona mund të përjetojnë deri në 200 ditë të tilla.
Deri në vitin 2050, rreth 70% e infrastrukturës në Arktik pritet të ndodhet në zona të rrezikuara nga shkrirja e ngricës së përhershme.
Gjithashtu, reshjet më intensive dhe rritja e nivelit të detit do të shtojnë rrezikun e përmbytjeve, veçanërisht në pellgjet e lumenjve të mëdhenj evropianë si Danubi, Rini dhe Vollga. Raporti vlerëson se deri në fund të shekullit, 71–89% e porteve në botë do të jenë të ekspozuara ndaj stuhive detare ekstreme.

