75 Mall Live Search
23:05 / E Premte, 11 Korrik 2025 / MSH

OKB: Mbi 3000 të vrarë në Haiti, nga janari deri në qershor

OKB -ja thotë se vrasjet masive në Pont Chaudt tetorin e kaluar, në të cilat u vranë më shumë se 100 persona, përbënin një ”pikë kthese të rëndësishme në ciklin e dhunës midis bandave dhe të ashtuquajturave grupe vetëmbrojtëse”.

Pasuan shumë masakra të tjera, duke shkaktuar zhvendosje masive kryesisht në qytetin e Mirebalais (departamenti qendror), i cili, në fillim të vitit, pa 100,000 banorët e tij të iknin për të shpëtuar jetën.

“Shkeljet e të drejtave të njeriut jashtë Port-au-Prince po intensifikohen në zonat e vendit ku prania shtetërore është jashtëzakonisht e kufizuar”, paralajmëroi në deklaratë Ulrika Richardson, drejtuese e përkohshme e Binuh.

Misioni Shumëkombësh i Mbështetjes së Sigurisë (MMAS), i vendosur në qershor 2024 në Haiti, nën udhëheqjen e Kenias, po përpiqet të përmbajë dhunën për shkak të mungesës së burimeve.

OKB-ja deklaron në raportin e saj se zgjerimi i kontrollit territorial të bandave përbën një rrezik të madh për përhapjen e dhunës dhe rritjen e kontrabandës së armëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore përtej kufijve kombëtarë, gjë që mund të ”çojë në destabilizim të konsiderueshëm të vendeve të nënrajonit të Karaibeve”.

Për të shmangur destabilizimin e shpejtë në këtë rajon, OKB-ja i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të “forcojë mbështetjen e saj për autoritetet haitiane, të cilat kanë përgjegjësinë kryesore për të mbrojtur të drejtat e popullsisë së tyre, si dhe për organizatat ndërkombëtare dhe kombëtare që ofrojnë ndihmë për grupet vulnerabël” .

Në vitin 2022, Këshilli i Sigurimit vuri në fuqi një regjim sanksionesh që përfshinte një embargo të synuar armësh, e cila më pas u forcua për të ndaluar transferimin e armëve në Haiti.

Megjithatë, OKB-ja nënvizon se embargoja përballet me ”mangësi të mëdha në kontrollin kufitar, si nga ana e vendeve të origjinës ose tranzitit të këtyre armëve ashtu edhe nga ana e Haitit”, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me aftësinë për të zbuluar dhe kapur dërgesat e paligjshme.