16:27 / E Martë, 01 Shtator 2020 / C E

Oklahoma e çon në ndeshjen e 7-të përballjen ndaj Houston-it

Oklahoma City Thunder shtyn serinë në ndeshjen e shtatë, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri Billy Donovan ia doli për të fituar një ndeshje vërtet shumë të ekuilibruar ndaj Houston Rockets, duke barazuar në 3-3 serinë e kësaj faze të play off-it.

Që në start lojtarët e dy skuadrave e filluan sfidën me shumë gabime, gjë që u reflektua në fund edhe te rezultati me pak pikë.

Asnjëra nga skuadrat nuk ishte në gjendje për t’u shkëputur ndjeshëm dhe i gjithë takimi u rrotullua në harkun e vetëm 17 pikëve, duke parë shpesh herë edhe ndryshimin roleve, përsa i përket kryesimit të rezultatit.

Kështu shkëputjen më të madhe OKC e siguroi në periodën e fundit, kur Thunder shkuan në +8 për të udhëhequr me shifrat 88-80, ndërkohë në krahun tjetër epërsinë më të madhe skuadra teksane e regjistroi në 12’ e tretë, kur ekipi i drejtuar nga trajneri Mike D’Antoni fluturoi dy herë në +9, duke kryesuar 58-49 dhe 63-54.

Nën presion çuditërisht krejt ndryshe nga c’pritej dyshja që gaboi më tepër ishte ajo James Harden–Russell Westbrook dhe nga kjo gjë përfituan pikërisht basketbollistët e Oklahoma-s, që në minutat e fundit përmbysën disavantazhin e 6 pikëve.

Kështu nga 98-92 për Houston-in gjithcka u kthye në favor të skuadrës së drejtuar nga Billy Donovan, që falë ecurisë së pjesshme 12-2 në minutat e fundit të takimit ia doli për të kthyer edhe fatin e kësaj sfide, duke fituar gjithë ndeshjen me rezultatin e ngushtë 104-100.

Kurioz është fakti që Rockets nuk kanë qenë asnjëherë në disavantazh, gjatë kësaj serie të fazës së knock out-it. Nga 2-0 për Houston-in seria u barazua në 2-2, ndërsa tani OKC ia doli përsëri për të ekuilibruar sfidën, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm nga 3-2 për Rockets në 3-3.

Basketbollisti më i mirë i sezonit deri tani James Harden e mbylli mbrëmjen me 32 pikë, 8 rebound e 7 asist, sidoqoftë lojtari më i vlefshëm i takimit ishte padyshim veterani nga Karolina e Veriut Chris Paul, që e mori për dore skuadrën nga Oklahoma për ta përfunduar ndeshjen me 28 pikë. /IndeksOnline/