Olluri i LDK-së për gjestin e Sveçlës: Dhuna po tentohet të normalizohet në politikë

Pas miratimit të buxhetit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, janë shfaqur disa pamje të këshilltarit të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, teksaj shihej duke i dëmtuar pajisjet në sallën e mbledhjeve në komunë.
E lidhur me këtë ka reaguar dhe Ardian Olluri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i cili ka thënë se vandalizmi që po shihet në këtë video nuk është një akt i rastësishëm. Këto sipas tij janë pjesë të një skenari të mirëplanifikuar, ku dhuna po tentohet të normalizohet si pjesë e politikës.
“Vandalizmi që po shohim në këtë video nuk është një akt i rastësishëm. Këto janë pjesë të një skenari të mirëplanifikuar, ku dhuna po tentohet të normalizohet si pjesë e politikës. Dhuna fillimisht u paraqit në skenë si reagim protestues për çështje të ndjeshme, ndërsa tani synohet ta shndërrojnë në një realitet të pranueshëm. Institucionet publike janë simbole të Republikës dhe duhet trajtuar si të shenjta, edhe kur nuk pajtohesh me vendimet e tyre. Vandalizimi ndaj tyre, duke e arsyetuar me pretekstin e vendimeve të dëmshme, sjell vetëm dëme afatgjata. Kjo kulturë e dhunës dhe destruktivitetit është rrënimtare për themelet e shtetit tonë dhe minon besimin në demokraci”, ka shkruar Olluri në Facebook.