Olta Xhaçka: Për Kosovën do të loboj në çdo takim, njohja dhe liberalizimi i vizave janë prioritet

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, ka theksuar se njohja dhe liberalizimi i vizave të Kosovës mbeten prioritet i qeverisë shqiptare.
Këtë deklaratë kryediplomatja shqiptare e dha gjatë punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste.
“Kosova është një çështje që e ngre në çdo takim bilateral për të lobuar për njohjen dhe mbështetjen e saj apo për njohjen dhe pranimin në organizata ndërkombëtare”, tha fillimisht zyrtarja shqiptare.
Sipas saj, Kosova mbetet një çështje që është ngritur edhe në Bashkimin Evropian “duke denoncuar padrejtësinë që i bëhet Kosovës sot duke e izoluar në mes të Evropës pa mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave”.
“Kosova është gjithmonë aty dhe gjithmonë para secilit vendim shtrohet pyetja si do të ndikojë kjo te Kosova”, shtoi Xhaçka.
Në hollin e Pallatit të Kongreseve po vijon paneli mbi Rajonin, Evropën dhe Sigurinë.
Pjesëmarrës janë përfaqësues politikë të rajonit, të cilët janë ftuar nga PS-ja.
Lektorë janë ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Në vijim, ministrja sqaroi se Kosova është një çështje prioritare edhe në punën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.
“Po punojmë pa u lodhur jo vetëm sa i përket pakësimit të raportimeve të UNMIK-ut në Këshill por edhe për të zgjeruar marrëdhëniet me ato vende si përshembull në Afrikë”, ravijëzoi ministrja më tej.
Duke iu kthyer nismës Open Balkan, ministrja u shpreh se “Kosova për ne është e shenjtë”.
“E vërteta është shumë e thjeshtë dhe ka dy anë”, tha Xhaçka.
Sipas zyrtares, kjo nismë përshpejton proceset e parashikuara në Procesin e Berlinit.
Zgjidhja, shtoi ajo, kalon detyrimisht nga bashkëpunimi dhe integrimi pasi ky është dimensioni strategjik i kësaj nisme.