Omicron deri në 70% më pak gjasa të ketë nevojë për kujdes spitalor

Njerëzit që infektohen me Omicron kanë 50% deri në 70% më pak gjasa të kenë nevojë për kujdes spitalor në krahasim me variantet e mëparshme, thotë një analizë e madhe.
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar thotë se gjetjet e saj janë “inkurajuese”, por varianti ende mund të çojë në një numër të madh njerëzish të hospitalizuar.
Agjencia gjithashtu tregon se aftësia e vaksinës për të parandaluar infektimin me Omicron fillon të zbehet 10 javë pas një doze përforcuese.
Mbrojtja kundër sëmundjeve të rënda ka të ngjarë të jetë shumë më e fortë.
Raporti vjen pas të dhënave nga Afrika e Jugut, Danimarka, Anglia dhe Skocia, të cilat të gjitha treguan dëshmi për ulje të ashpërsisë së infektimit.
Analiza e fundit bazohet në të gjitha rastet e Omicron dhe Delta në Mbretërinë e Bashkuar, që nga fillimi i nëntorit, duke përfshirë 132 persona të shtruar në spital, të infektuar me këtë variant. Ka pasur gjithashtu 14 vdekje brenda 28 ditëve nga infektimi me Omicron.
Raporti tregon se njerëzit që infektohen me Omicron janë:
31% deri në 45% më pak gjasa për të shkuar në Emergjencë;
50% deri në 70% më pak gjasa për t’u pranuar në spital për trajtim të metutjeshëm.
Sidoqoftë, një virus më i butë mund të ushtrojë presion mbi spitalet.
Çështja mbetet se çdo përfitim i një virusi më të butë mund të fshihet nga një numër i madh njerëzish që infektohen me Omicron.
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur një tjetër rekord ditor të Covid, me 119,789 raste të konfirmuara.
Ekziston gjithashtu pasiguri se çfarë do të ndodhë kur Omicron të arrijë grupmoshat më të vjetra, pasi shumica e atyre që infektohen dhe shkojnë në spital për trajtim, deri më tani janë nën moshën 40 vjeç.