75 Mall Live Search
12:03 / E Enjte, 29 Dhjetor 2022 / S Z

Onkologjia pa Imunoterapi, vështirësohet trajtimi i pacientëve

Derisa thuhet se po punohet në zgjerimin e listës së barnave esenciale, Qendra Klinike Universitare (QKUK), vazhdon të mos i ketë as ato që gjinden në listën e tanishme. E Klinika e Onkologjisë, që është ndër klinikat që trajton raste të rënda e të ndjeshme, ballafaqohet çdo herë me mungesë të barnave, me të cilat trajton pacientët me kancer.

Javë më parë klinika ka mbetur pa ilaçin Herceptine. E tani nuk ka Imunoterapi. Pacientët e kësaj klinike janë të detyruar t’i sigurojnë vet këto barna, të cilat kanë një kosto të lartë.

Klinika e Onkologjisë po përballët me mungesë të barnave imunoterapeutike, përfshirë edhe medikamentin Pembrolizumab.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë Arben Bislimi  për IndeksOnline ka pohuar se klinika të cilën ai drejton, i ka 80 për qind të barnave të cilat gjinden në listën esenciale, por se ka mungesë të disa ilaçeve, në mesin e tyre janë dhe imunopreparatet.

“Në listën esenciale i kemi dy preparate që janë imunoterapi. Ka dhe target të cilat i përdorim. Gjithmonë po flasim për listën e barnave esenciale që i kemi në klinikë. Për momentin është mungesë e tyre, për shkak se është krijuar një boshllëk, kjo periudha kalimtare dhjetori janari i shkaktojnë këto probleme. Ne në klinikë japim shërbime, njoftojmë dhe bëjmë kërkesat e nevojshme me kohë. Ato i kemi bërë sipas procedurave dhe po presim. Ka një periudhë që nuk ka dhe momentalisht nuk kemi.  Pse nuk ka dhe pse nuk vijnë, janë instancat tjera që japin përgjigje. Ne jemi klinikë që japim shërbime dhe bëjmë kërkesa, në momentin që nuk posedojmë terapi”, thotë Bislimi.

Bislimi madje pohon se mungesa e këtyre medikamenteve dhe të tjerave të cilat mungojnë herë pas here, u shkaktojnë vështirësi në trajtimin e pacientëve.

“Çdo mungesë e çdo medikamenti shkakton problem, në trajtim të pacienteve. Sidomos kur kemi parasysh koston e këtyre preparateve dhe duke ditur mundësitë ekonomike të familjeve tona. Por pavarësisht kësaj, çdo mungesë e çfarëdo ilaçi, që është në listë esenciale dhe që mungon në kliniken tonë na shkakton  probleme në planin ditor të menaxhimit të pacientëve”, thotë Bislimi.

Ndryshe, pacientët të cilët kërkojnë trajtim në Klinikën e Onkologjisë në mungesë të barnave në klinikë, detyrohen t’i blejnë ato me çmime tejet të larta. Megjithëse shumë nga këto barna nuk lejohen as të shiten, ato gjinden fare lehtë në treg, por me çmime shumëfish më të larta se sa vlera reale e tyre. /IndeksOnline/