19:09 / E Mërkurë, 04 Korrik 2018 / indeksADMonline

Onkologjia së shpejti me brahiterapi

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka pritur sot në takim udhëheqësin e Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, Beqir Mezelxhiu, me të cilin bisedoi për përshpejtimin e procedurave për licencimin e brahiterapisë në Onkologji, trajtim mjekësor që nuk është ofruar deri më tani për pacientët.

Mezelxhiu tha se janë përmbushur kushtet e nevojshme fizike për mbrojtje nga rrezatimi radioaktiv në Institutin e Onkologjisë, sipas standardeve të Bashkimit Evropian, si dhe për veprimet tjera të nevojshme që duhet të ndërmerren në mënyrë që të fillojë shërbimi me brahiterapi.

Aparatura e brahiterapisë, e cila mundëson trajtimin me rrezatim të tumoreve malinj, është blerë para tri vjetësh, mirëpo deri më tani ka qenë jashtë funksionit.

Fillimi i aplikimit të kësaj terapie në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të ndikojë edhe në zvogëlimin e shpenzimeve për trajtim jashtë vendit.