OpenAIL: Rreth 0.07% e përdoruesve aktivë të ChatGPT kanë shfaqur shenja të mundshme të manisë ose psikozës
OpenAI ka njoftuar se rreth 0.07% e përdoruesve aktivë të ChatGPT në një javë të caktuar kanë shfaqur shenja të mundshme të manisë, psikozës ose mendimeve vetëvrasëse.
Kompania thekson se këto raste janë “jashtëzakonisht të rralla”, por pranon se në një bazë përdoruesish prej 800 milionë personash në javë, përqindja përfaqëson një numër të konsiderueshëm njerëzish.
Sipas OpenAI, rreth 0.15% e përdoruesve kanë zhvilluar biseda që përfshijnë “tregues të qartë të planifikimit ose qëllimit të mundshëm vetëvrasës”.
Për t’u përballur me këto raste, kompania ka krijuar një rrjet global prej mbi 170 profesionistësh të shëndetit mendor, përfshirë psikiatër, psikologë dhe mjekë të kujdesit parësor nga 60 vende.
Këta ekspertë kanë ndihmuar në hartimin e përgjigjeve mbështetëse të ChatGPT, që synojnë t’i inkurajojnë përdoruesit të kërkojnë ndihmë profesionale.
Disa profesionistë të shëndetit mendor kanë ngritur shqetësime mbi shifrat.
“Edhe pse 0.07% tingëllon pak, në një nivel popullsie me qindra miliona përdorues, mund të përfshijë shumë njerëz,” tha Dr. Jason Nagata, profesor në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko. Ai shtoi se ndërsa IA mund të ndihmojë në qasjen ndaj mbështetjes psikologjike, kufizimet dhe rreziqet mbeten të rëndësishme.

