Operacioni antidrogë në Itali: Zbulohen lidhje me Shqipërinë

Një operacion i përbashkët mes Guardia di Finanza, Komandës Provinciale të Milanos dhe Shërbimit Qendror për Hetimin e Krimit të Organizuar ka çuar në arrestimin e 15 personave.
Të arrestuarit janë të dyshuar si anëtarë të një organizate të armatosur kriminale, e lidhur me klanin “Ndrangheta”-s nga zona e Locride në Kalabri. Dymbëdhjetë prej tyre janë vendosur në paraburgim, ndërsa tre të tjerë në arrest shtëpiak, raporton euronews.
Organizata dyshohet se ka drejtuar, financuar dhe organizuar një rrjet të gjerë trafiku ndërkombëtar të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Italisë dhe Evropës, me qendër veprimi në rajonet e Lombardisë dhe Kalabrisë. Në vetëm 12 muaj, grupi kriminal ka trafikuar sasi kokaine me vlerë mbi 18 milionë euro.
Hetimet nga Europol-i zbuluan se anëtarët e grupit përdornin sisteme të sofistikuara komunikimi të koduar dhe kishin kontakte të drejtpërdrejta me sindikata kriminale në Kampanja dhe Shqipëri. Rrjeti kishte kapacitet të importonte drogë në sasi të mëdha dhe ta shpërndante në qendrat kryesore të trafikimit në Lombardi, duke riinvestuar fitimet e paligjshme jashtë vendit përmes metodave të sofistikuara financiare, përfshirë sistemin joformal të transferimit të parave të njohur si fei ch’ien.
Operacioni gjithashtu zbuloi lidhje të ngushta midis disa nënstrukturave të ‘Ndrangheta-s — si “Papalia-Carciuto”, “Marando-Trimboli” dhe “Barbaro ‘U Castanu” — dhe një grupi kriminal të lidhur me klanin “Di Lauro” të Camorra-s në Napoli.
Një element kyç për hetimin ishin interceptimet e komunikimeve të koduara, të analizuara me ndihmën e teknologjive të përparuara dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Bastisjet u zhvilluan në provincat e Milanos, Pavias dhe Reggio Calabria, me mbështetjen e njësive të specializuara të kontrollit të drogës dhe qenve të trajnuar për zbulimin e substancave narkotike.