10:34 / E Mërkurë, 03 Qershor 2020 / indeksADMonline

FSK-ja nxjerr trupat e pajetë të minatorëve të minierës së Artanës

Ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë të Kosovës, pas mesnate, kanë arritur të nxjerrin trupat e pajetë të dy minatorëve të Minierës së Artanës.

Operacioni i nxjerrjes së trupave ka zgjatur disa orë, për shkak të specifikave të punës.

Në operacion kanë marrë pjesë: FSK-ja, Policia e Kosovës, Zjarrfikësit, njësitet e Kërkim-Shpëtimit të Minierave, si dhe institucione tjera të Sigurisë.

Trupat e pa jetë i janë dorëzuar institutit të mjekësisë ligjore për procedura të mëtutjeshme.

Ndërkaq Policia e Kosovës ka bërë të ditur se trupat e pajetë të dy minatorëve janë nxjerrë rreth orës 00:30.

“Raportohet se në vendin e punës kanë humbur jetën dy minatorë meshkuj kosovarë, si pasojë e shembjes së dheut. Rreth orës 00:30 trupat e pajetë janë nxjerrë nga rrënojat e minierës me ndihmën e FSK-së, policisë dhe minatorëve”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

Ndryshe Qeveria në detyrë e Kosovës sot pritet të marrë vendimin për ndarjen e 30 mijë eurove për dy familjet e minatorëve që humbën jetën.