Operacioni “Rrjeta” në Pejë/ Policia kryen kontrolle të gjera për parandalimin e veprave penale
Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të gjerë në Pejë, në kuadër të planit operativ të quajtur “Rrjeta”, i cili synon parandalimin e veprave penale dhe kundërvajtjeve në trafik.
Sipas njoftimit zyrtar, më 5 nëntor 2025, njësitet e Njësisë Rajonale të Trafikut në Pejë (NJRT-Pejë), në bashkëpunim me ekipet e stacionit policor të Pejës, kanë realizuar kontrolle të shumta në hyrjet dhe daljet e qytetit, si dhe në udhëkryqe të rrugëve nacionale, rajonale dhe lokale.
Gjatë këtij operacioni janë kontrolluar dhjetëra automjete të të gjitha llojeve, janë legjitimuar disa persona, si dhe janë shqiptuar fletëgjobë për drejtuesit e automjeteve që kanë shkelur rregullat e trafikut.
Policia ka bërë të ditur se i gjithë operacioni është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.
Në fund, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë apel të gjithë qytetarëve dhe veçanërisht shoferëve, që me hyrjen e sezonit dimëror të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit dhe të pajisen me mjetet e nevojshme për vozitje të sigurt në rrugë.




