75 Mall Live Search
14:38 / E Enjte, 25 Mars 2021 / k.v

Operacioni “Stuhia” prangosë 7 persona për kontrabandë armësh

Një aksion i madh i policisë është zhvilluar sot në orët e hershme të mëngjesit në 13 lokacione të ndryshme në rajonet: Ferizaj, Gjilan e Prishtinë. Janë arrestuar shtatë persona për kontrabandë të armëve.

Nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë thënë se policia ka konfiskuar një arsenal armësh nga të dyshuarit, të cilët tani ndodhen në stacion të policisë duke u intervistuar.

Në operacionin e koduar me emrin “Stuhia” kanë qenë të angazhuar rreth 230 zyrtarë policorë dhe mësohet se hetimet për këtë rast kishin nisur disa muaj më parë.

Për të zbuluar këtë rrjet kriminal, prokuroria dhe policia kishin përdorur masat e fshehta të vëzhgimit.

Hetimet ndaj të dyshuarve po vazhdojnë dhe ekziston dyshimi se ata janë të përfshirë edhe në raste të grabitjeve të armatosura./IndeksOnline/