75 Mall Live Search
10:35 / E Mërkurë, 29 Tetor 2025 / KV

Operacioni “The Van”/ Policia e Shqipërisë zbulon një bazë armësh në Tiranë, arrestohet një 34-vjeçar (Video)

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “The Van”, pas një hetimi të detajuar nga Sektori i Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e policisë Nr. 2 në Tiranë.

Gjatë këtij operacioni është zbuluar një bazë e fshehtë ku ruhej një arsenal armësh të dyshuara si të trafikuara.

Gjatë kontrollit të zhvilluar në rrugën “Myslym Shyri”, në një furgon të shtetasit E. S., 34 vjeç, policia ka gjetur dhe sekuestruar:

23 armë zjarri, mes tyre 5 snajperë, 6 automatikë dhe 12 pistoleta të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” e “Tanfoglio”; 1 silenciator, 17 krehra dhe 15 000 fishekë; 17 kuti me pranga, 12 celularë, pajisje për shpërthime në distancë dhe pajisje për bllokimin e valëve; Uniforma të ngjashme me ato të Policisë dhe pajisje gjurmuese (GPS).

Në përfundim të operacionit u arrestua shtetasi E. S., ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, identitetet e të cilëve nuk janë bërë publike për shkak të hetimeve në vijim.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal, përfshirë qëllimin e mbajtjes së arsenalit të armëve dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale janë referuar në prokurori për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.