Operacioni “Victim”: Goditet shfrytëzimi për prostitucion, 2 të arrestuar dhe 1 në kërkim në Vlorë
Finalizohet operacioni i koduar “Victim”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të femrave, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Zbulohet në lagjen “Pavarësia”, një apartament i marrë me qira, ku shfrytëzohej për prostitucion, një shtetase kineze.
Identifikohen 3 shtetas kinezë, bashkëpunëtorë për këtë veprimtari kriminale. Vihen në pranga 2 prej tyre, tjetri shpallet në kërkim. Procedohen penalisht shtetasja kineze që ushtronte prostitucion dhe një shtetas tjetër. Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u finalizua operacioni i koduar “Victim”, që goditi një rast të shfrytëzimit për prostitucion.
Nga hetimet u identifikuan 3 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. 2 prej tyre, shtetasja X. L., 40 vjeçe, banuese në Kinë dhe shtetasi B. W., 31 vjeç, banues në Kinë, u vunë në pranga, ndërsa bashkëpunëtorja, shtetasja K. X., 50 vjeçe, u shpall në kërkim.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se shfrytëzonin për prostitucion shtetasen kineze J. G., 52 vjeçe, në një apartament në lagjen “Pavarësia”, të cilin e kishin marrë më qira, për këtë qëllim. Shtetasja kineze J. G. dhe shtetasi E. B., i cili u konstatua në apartament, u proceduan penalisht për veprën penale “Prostitucioni”. Punohet për kapjen e shtetases kineze të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e kësaj të veprimtarie kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

