Opozita bllokon foltoren, ndërpritet dy herë seanca pas tensioneve në Kuvendin e Shqipërisë
Tensione janë regjistruar në Kuvendin e Shqipërisë, këtë të enjte ku deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren gjatë seancës plenare.
Tensionet erdhën pasi kryetari i opozitës Sali Berisha ka kërkuar fjalën pas Taulant Ballës ndërkohë që drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, nuk i ka dhënë, çka ka sjellë reagime nga deputetët e opozitës dhe bllokim të foltores.
Pasi deputetët e opozitës nuk pranuan të largohen nga foltorja, Niko Peleshi ndërpreu seancën me 5 minuta, raporton Euronews.al.
Edhe pas rifillimit të seancës, deputetët e PD-së vijuan ta mbanin të bllokuar foltoren, pasi kërkuan që të merrnin fjalën për procedurë, por drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, nuk i lejoi.
Ai njoftoi se do të kalohej në pikën 3 të rendit të ditës, ku ministri i Jashtëm Ferit Hoxha do të raportonte mbi Konferencën e Tetë Ndërqeveritare BE–Shqipëri për procesin e negociatave dhe integrimit të vendit.
“Mos e prishni seancën në pikën e gabuar, sidomos pikën e gabuar. Lejoni ministrin e Jashtëm të flasë, është pikë e rëndësishme, ka interes publik, qytetarët duan të dinë procesin e integrimit”, tha Peleshi.
Nga salla dëgjoheshin thirrje të opozitës: “Zbato rregulloren, zbato procedurën…”, ndërsa Peleshi theksoi se po zbatohej rregullorja dhe se fjala nuk merret kur kërkohet jashtë rendit të ditës.
“Fjala nuk merret kur e do, këto janë pikat e rregullores, e pamundur ta merrni fjalën në këto kushte”, u shpreh ai, duke i kërkuar opozitës të respektojë procedurën.
Më pas, deputeti Flamur Noka e akuzoi kryeparlamentarin për shkelje të rregullores, ndërsa Peleshi iu përgjigj me tërheqje vëmendjeje.
“Turp”, u dëgjua nga salla, ndërsa deputetët e opozitës drejtuan gishtin drejt drejtuesit të seancës.
Peleshi vendosi ndërprerjen e seancës për 15 minuta, duke theksuar se “seanca nuk është arenë gladiatorësh”.

