23:34 / E Shtunë, 23 Mars 2019 / indeksADMonline

Opozita cakton protestën e radhës

Në një ditë me Kongresin e Partisë Socialiste, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha mblodhi sot krerët e degëve në seli, për të diskutuar mbi datën e protestës së radhës.

13 prilli u vendos nga Kolegji i Kryetarëve të PD-së që të jetë data e mbajtjes së protestës së radhe masive të opozitës.

Ndërkaq do të vijojnë sa herë që të ketë seanca plenare protestat te Kuvendi i Shqipërisë. “Nëse fitoni qoftë edhe një bashki më shumë se ne, ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Edi Rama gjatë Kongresit.

Ky propozim u ironizua nga Sekretari i Përgjithshëm në PD, Gazment Bardhi, i cili përmes një komenti në “Facebook” do të shkruante: “Më lini t’i vjedh edhe zgjedhjet vendore dhe po t’i fitojë opozita zgjedhjet që unë do vjedh, shkojmë pastaj në zgjedhje të parakohshme”.

PD, LSI dhe partitë aleate zhvilluan protestën e fundit masive kundër qeverisë më 16 mars.

Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie tranzitore, si parakusht për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, që duhet të jenë të lira dhe të ndershme.