Opozita dhe shoqëria civile kritikojnë Qeverinë për menaxhimin e pandemisë COVID-19

Rritja e rasteve të reja me COVID-19 ka bërë që të rriten edhe kritikat në drejtim të Qeverisë së Albin Kurti, trasnmeton “Indeksonline”.
Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar në “Facebook”, se Kosova është vend i vogël për t’i pasur 44 vdekje në tre dite.
“Jemi vend i vogël për t’i pasur 44 vdekje në tre ditë. Jemi vend i vogël për t’i përballuar si hiçgjë 44 tragjedi familjare nëpër Kosovë. Katër të rinj e reja, në të njëzetat, janë shuar në tre ditë nga varianti i ri. Nga një ditë zie e kemi çdo ditë. Këtë gjendje shqetësuese s’mund ta normalizojmë. S’është normale. As ta politizojmë sepse në beteja si këto, as që dua të marr ndonjë votë. Por s’mund të sillemi sikurse nuk po ndodhë asgjë. S’mund t’i kapërcejmë gjithë këto vdekje tragjike vetëm si numra qa na shpërfaqen në ora tre e gjysmë. Qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë nuk po ndodhë; sikur asgjë s’kanë në dorë. 17 të vdekur pardje, 13 dje, 14 sot. E meqë s’po merren me pandemi, çfarë po bëjnë të gjithë aty? Me çka e kalojnë kohën një ushtri pushtetarësh dje e sot – në ditët kur na vdesin plot 44 qytetarë? Ekspozitat e pikturave të Hotelit Grand e simpoziumet gjuhësore – me të cilat duket se Kryeministri megjithatë gjenë kohë – mund të presin pak. Në vend të tyre duhet të prijë. Bashkë me ministrin e Shëndetësisë mëngjes e mbrëmje me çdo kapacitet shtetëror vetëm me pandemi – në spitale, inspektorat, polici e Qeveri. Barabartë me mijëra mjekë që po ballafaqohen me pandemi e me 24 mijë të infektuar që i kemi aktualisht, Asgjë tjetër s’ka sot më shumë rëndësi. Asgjë”, ka shkruar Abdixhiku.
Kritika në drejtim të Qeverisë Kurti ka pasur edhe nga shoqëria civile. Analisti Albert Krasniqi ka bërë me dije se qeveria ka dështuar në menaxhimin e pandemisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar Kosova është vendi i dytë në botë për më së shumti raste të reja në 100 mijë banorë.
“Krejt këtu erdhëm nga dështimi i Qeverisë për të menaxhuar me pandeminë. Asnjë masë! U soll thuajse nuk ka pandemi. Një dyqan tregtar, Zara, u soll më me përgjegjësi ndaj klientëve të vet duke kërkuar vendosjen e masave, sesa Qeveria ndaj qytetarëve të saj”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka shkruar në “Facebook”, se virusi me turr po na ndan nga jeta familjarët tanë.
“2541 të infektuar dhe 14 të vdekur! Virusi me turr po na ndan nga jeta familjarët tanë, Vitia me turr po vrapon me marr Prishtinën që partia e tij me udhëheq edhe katër vite të tjera. Tetë vite pak me rregullu Prishtinën, duhet edhe katër tjera”, ka shkruar Miftaraj.
Vetëm sot ministria e Shëndëtësisë ka bërë me dije se janë infektuar mbi 2500 qytetarë me COVID-19./Indeksonline/