Opozita kërkon votimin e një rezolutë në Kuvend për kërkesat e minatorëve të Trepçës

Partitë opozitare kanë kërkuar që në seancën e sotme si pikë e rendit të ditës të hyjë dhe një rezolutë, e cila përkrahë kërkesat e minatorëve të Trepçës, të cilët kanë hyrë në ditën e dhjetë të grevës.
Deputeti i PDK-së Abelard Tahiri ka thënë se i kanë dhënë kohë qeverisë që ta zgjidh çështjen e minatorëve, por se kjo gjë nuk ka ndodhur dhe se ata po kërkojnë që kjo çështje të futet si pikë e rendit të ditës.
“Grupi Parlamentar i PDK-së kemi proceduar një kërkesë për një debat me një rezolutë që përkrahë kërkesat e minatorëve të Trepçës. Tash e dhjetë ditë minatorët e Trepçës janë në greve dhe ne për dhjetë ditë në asnjë rrethanë nuk kemi dashur ta sjellim në Kuvend, me politizu këtë çështje dhe i kemi dhënë kohë Qeverisë që ta zgjidh këtë çështje dhe minatorët të dalin nga greva dhe një gjë e tillë nuk ka ndodh. Sot duke e pasur parasysh që dhe rregullorja lejon të trajojmë çështje urgjente, ne rezolutën e kemi proceduar dhe kërkojmë që të hyjë si pikë e parë miratimin e një rezolute, ku parlamenti kërkon mbështetjen e kërkesave të minatorëve të Trepçës. Ato janë të ditura për ne si deputet. Miratimi i një kërkese të tillë është jahtëzakonisht i rëndësishëm”, tha ai.
Edhe shefi i GP të LDK-së Arben Gashi ka thënë se kjo çështje duhet të trajtohet në mënyrë urgjente
“GP i LDK konsiderons se është me interes që në mënyrë urgjente, të trajtohet çështja e minatorëve, jeta e të cilëve po rrezikohet. Kuvendi ta kalojë një rezolutë për kërkesat e minatorëve. Ata kanë kërkesa minimaliste. Shteti duhet të garantoj që pagat e tyre në fund të muajit të dalin në llogari. Kjo duhet të trajtohet urgjentisht”, ka thënë ai.
E mbështetje këtij propozimi i dha dhe shefi i Grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri.
“GP i AAK e mbështet dhe konsideron që është urgjente, që të diskutohet çështja e minatorëve. Që të diskutohet me urgjencë dhe çështja e policëve të Kosovës”, tha ai.