14:04 / E Premte, 01 Korrik 2022 / k.v

​Opozita kundërshton raportin vjetor të AKP-së për vitin 2021

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë kundërshtuar raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021.

Dy partitë opozitare, në seancën e sotme plenare, këtë raport e quajtën të paqartë dhe pastrukturuar.

Ferat Shala nga PDK, u shpreh kritik edhe për idenë e themelimit të fondit sovran dhe marrjen e aseteve të AKP-së.

“Është dokument i paqartë, i pa strukturuar, pa koncept zhvillimor. Fondi sovran në konceptin ideor të proklamuar thotë se do të grumbullojë asete e AKP-së të cilat janë të gatshme për rivitalizim, prodhim, industri dhe ekonomi. Por në esencë dhe substancën e saj, asetet themelore të saj janë ndërmarrjet publike, KEKU, Trepça, Hekurudha dhe Posta, pra po e harron AKP-në”, tha ai.

Kritika adresoi edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.

“Ne si LDK jemi kundër këtij raporti dhe nuk do të marrin pjesë në votim”, tha ajo.

Ndërsa deputetja nga mazhoranca Jeta Statovci tha se AKP-ja ka bërë një punë të mirë gjatë vitit 2021 dhe raporti duhet të miratohet.

“E shohim që ka një targetim mjaft të madh të nevojave se ku duhet investuar dhe reduktuar shpenzimet e panevojshme. Shohim se bordi ka marrë masa lidhur me kompensimin e anëtarëve të bordit dhe pagat e stafit të AKP-së”, tha ajo.

Pas këtij diskutimi, Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 14:30.