11:08 / E Hënë, 23 Korrik 2018 / indeksADMonline

Opozita nuk shkon në takimin e thirrur nga Veseli, ai thotë se po krijohet populizëm (Video)

Askush nga përfaqësuesit e partive opozitare nuk mori pjesë sot në takimin e thirrur nga Kryetari i Kuvendi të Kosovës, njëherësh i pari i PDK-së, Kadri Veseli për të arritur një konsensus për dialogun me shtetin e Serbisë.

Pas takimit që është mbajtur mes partive pjesë e koalicionit qeverisës, kreu i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë se takimi është zhvilluar vetëm nga partnerët e koalicionit qeverisës.

“Javën që kaluam qytetarët morën një lajm të jashtëzakonshëm për vizat.Sot ne patëm një takim që ka të bëjë me arritjen e konsensusit në procesin e ardhshëm që e prek Kosovën dialogun. Takimin e sotëm kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e pozitës, kanë qenë prezent vetëm partnerët e koalicionit qeverisës”, ka thënë Veseli.

Ai gjithashtu ka shtuar se kërkesa e sotme për takim ka qenë kërkesë e opozitës për mbajtjen e një takimi të tillë dhe se ishte kërkesë e cila iu është bërë qoftë përfaqësuesve të BE-së, qoftë Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

“Nevoja e reflektimi, nevoja e akumulimit të një qëndrimi politik qoftë për populizëm është legjitime e opozitës. Me Serbinë të ulesh sot nuk është privilegj, është sakrificë në të njëjtën kohë përgjegjësi. Arritja e paqes për fëmijët është përgjegjësi e të gjithëve. Mesazhi që sot do të duhej ta përçonim do të ishte konsensusi i të gjithëve”, tha Veseli, transmeton Indeksonline.

Veseli gjithashtu ka thënë se flet me përgjegjësi të plotë kur thotë se një pjesë e opozitës ka pranuar që të marrë pjesë në dialog dhe sipas tij kjo është një vendimarrje që tanimë ka ndodhur.

“Unë e thashë edhe në deklarim se nevoja e akomodimit dhe qëndrimit politik apo ndoshta mungesa e lidershipit ka krijuar një situatë në të cilën nuk kemi ende pjesëmarrje direkte. Por jam i sigurt se do të kemi një unitet të plotë në këtë proces por ajo çfarë dua të theksoj, popullzimi nga i cili ka përfituar në zgjedhjet e kaluara Vetëvendosje, goxha shumë është dëshirë e të gjitha partive, që të krijohet populizëm vetëm për përfitime të partive. Si qëndrim me partitë që kanë marrë pjesë është se do të marrim pjesë në procesin e dialogut, do të caktojmë vijat. Territori dhe integriteti i Kosovës është i pacenuar. Shteti i Kosovës është i shenjtë, sovraniteti është i pacenuar dhe duhet të diskutojmë në mënyrë që t’i japim vetes drejtimin euroatlanik dhe të ruajmë partneritetin me SHBA-në dhe BE-në. S’do të lëvizim nga këto qëndrime pavarësisht se çfarë qëndrimesh mbanë opozita, do të qëndrojmë të tillë si pozitë”, ka përfunduar Veseli./Indeksonline/