14:29 / E Premte, 15 Mars 2019 / indeksADMonline

Opozita paralajmëron protesta nëse nuk u miratohen kërkesat për dialog

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për dialogun, me arsyetimin se me të është shkelur Kushtetuta.

Deputeti Driton Selmanaj ka thënë se Kuvendi e përcakton politikën e jashtme, kurse qeveria e zbaton, raporton Indeksonline.

“Kompetencat janë shumë të qarta, pushtetet në Kosovë janë të ndara. Asnjë dispozitë kushtetuese nuk lejon të barten kompetencat e institucioneve tjera, aq më pak me shumicë të thjeshtë. Çështja tjetër ka të bëj me kompetencat e delegacionit, me të cilat me tendencën e kuvendit dhe koalicionit qeverisës, shkelin rëndë kushtetutën dhe nenet 65 ku preken kompetencat e kuvendit, 93 ato të qeverisë dhe 94 kompetencat ekzekutive të kryeministrit”, ka thënë Selmanaj.

Sipas tij, këto çështje i rregullon ligji për marrëdhënie ndërkombëtare, që tregon për procedurat se kush ka të drejt të ndërmarr nisma për marrëveshje të tilla dhe si duhet të ratifikohen në institucionet e Kosovës.

“Ne si GP, si deputetë e kontestojmë në tërësi kushtetutshmërinë e këtij ligji dhe besojmë se edhe gjykata do ta rrëzoj këtë ligj. Do të konsumojmë çdo mundësi kushtetuese, por nëse këto nuk janë të mjaftueshme, atëherë do të zgjedhim edhe daljen në rrugë. Nëse ky koalicion qeverisës dhe përfshirja e Thaçit në dialog vazhdon, ne do të trajtojmë me seriozitetin më të madh për të dal në rrugë dhe të protestojmë”, ka përfunduar Selmanaj.

Ndërsa, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ka thënë se në këtë fazë që po quhet faza finale e dialogut, pa asnjë autorizim nga kuvendi e ka marr përsipër presidenti Hashim Thaçi.

“Kuvendi ynë tani do të duhej që pa dilema të miratonte një dokument me të cilin e ndalon Thaçin. Më mirë nuk qëndron as koalicioni, që po ndihmon Thaçin në projektin për shkëmbim territorial. Kjo aventurë është në favor të Thaçit. Ne dorëzuam kërkesën për ligjin për dialogun, e cila parasheh shkeljen e të paktën 8 neneve të kushtetutës së Kosovës. Përveç arsyetimit juridik, ne kemi kërkuar nga kushtetuesja edhe vendosjen e menjëhershme të masës së përkohshme, që ligji në fjalë lejon ndarjen e shtetit”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo shtoi se nuk përjashtohen protestat, nëse kërkesat e opozitës nuk gjejnë mbështetje.

“Nuk i përjashtojmë protestat dhe do të ishte mirë nëse do të mund të bëhej si organizim me partinë tjetër të opozitës. Nëse vijon kështu, veprimet tona me demonstrata janë të domosdoshme. Për shkak të mungesës së legjitimitetit, skandaleve të vazhdueshme të qeverisë, e cila po vepron gabimisht duke mos e ndal atë, zgjedhja më e mirë do të ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme, asnjë veprim tjetër nuk do të mund ta shpëtonte vendin nga kjo katrahurë”, ka shtuar Haxhiu. /Indeksonline/