75 Mall Live Search
23:34 / E Premte, 05 Dhjetor 2025 / Gj Sh

OPTA parashikon favoritët e Botërorit 2026

Spanja është favoritja e madhe për të fituar Botërorin e vitit të ardhshëm.

Kampionët e Europës kanë marrë 17% shanse për triumf nga faqja e specializuar e statistikave në futboll, OPTA, duke u vlerësuar si skuadra më e kompletuar e momentit. Iberikët konsiderohen të pandalshëm falë mesfushës së tyre të fortë dhe ansamblit ofensiv që garanton ritëm dhe kreativitet. Pas saj renditet Franca, me 14.1%. Me Kylian Mbappé në superformë dhe një brez të artë të mbushur me yje, “Gjelat” pritet të jenë sërish protagonistë të fazave të thella të turneut.

Anglia zë vendin e tretë me 11.8%, duke u vlerësuar lart për talentet e shumta të brezit të ri dhe ndikimin e trajnerit Thomas Tuchel. Sipas OPTA-s, ky mund të jetë viti në të cilin “Tre Luanët” thyejnë mallkimin e 60 viteve dhe synojnë titullin e dytë botëror. Në vendin e katërt vjen Argjentina, kampionia në fuqi, me 8.7% shanse. Edhe pse skuadra e Lionel Messi-t dominoi kualifikimet e Amerikës së Jugut, statistikat këtë herë nuk i pozicionojnë mes favoritëve absolutë.

Gjermania, me 7.1%, shihet si një kundërshtar i rrezikshëm, por jo tërësisht i qëndrueshëm, për shkak të performancave të paqarta gjatë viteve të fundit. Ndërkohë, Portugalia e Cristiano Ronaldos, në Botërorin që pritet të jetë i fundit për yllin portugez, vlerësohet me 6.6% mundësi për të synuar lavdinë e madhe.

Surpriza më e madhe vjen nga Brazili, të cilit i jepen vetëm 5.6%. Edhe pse udhëhiqen nga Carlo Ancelotti dhe kanë futbollistë të klasit botëror, forma e dobët në turnetë e fundit ka ulur ndjeshëm vlerësimet për “Seleçaon”. Holanda ndjek me 5.2%, duke mbajtur statusin e saj klasik si skuadër pretendente që shpesh ndalet një hap larg majës.

Norvegjia e Erling Haaland merr 2.3%, ndërsa Kolumbia me Luis Díaz pozicionohet e dhjeta me 2%. Në fund, OPTA sjell edhe një detaj interesant: ekipet që vijnë nga play-off-et, përfshirë mundësisht edhe Italinë, kanë 3.7% shanse për të shkuar deri në fund dhe për të ngritur trofeun në Amerikën e Veriut.

Me një renditje kaq të ngushtë dhe me shumë skuadra në rritje, Botërori i ardhshëm pritet të jetë një nga turnetë më të fortë dhe më të paparashikueshëm të dekadës.