20:18 / E Shtunë, 23 Mars 2019 / indeksADMonline

Optimizëm te Kosova, Zeneli dhe Aliti: Po e presim me padurim Bullgarinë!

Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar sot seancën stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e parë kualifikuese kundër Bullgarisë, të cilën do ta zhvillojë të hënën, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kryeqytet.

Një ditë më parë skuadra ka zhvilluar stërvitje vetëm me futbollistët që nuk ishin titullarë në miqësoren kundër Danimarkës, ndërsa sot kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët, me përjashtim të Benjamin Kolollit. Hekuran Kryeziu është stërvitur me ritëm të plotë me lojtarët e tjerë, ndërsa Vojvoda, Paqarada dhe Shala, për shkak të angazhimit të madh në miqësoren kundër danezëve pjesën e fundit të stërvitjes janë lënë në pushim.

Atmosfera është jashtëzakonisht e mirë dhe të gjithë futbollistët po e presin me padurim duelin e së hënës me Bullgarinë, me shpresë dhe besim se do t’ia dalin ta nisin mbarë këtë fushatë kualifikuese. Edhe seancën e sotme stërvitore nga afër e kanë ndjekur presidenti i FFK-së, Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.

Në fund të stërvitjes disa lojtarë të Kosovës folën për SuperSport, duke përcjellë optimizëm për ndeshjen e parë kualifikuese.

Arbër Zeneli: “Ndeshja me Bullgarinë është shumë e rëndësishme për ne dhe mendoj se miqësorja me Danimarkën na ka ndihmuar që të hyjmë në ritmin tonë. Ai gol i pësuar në sekondat e fundit të ndeshjes me danezët na ka zhgënjyer paksa, por atmosfera në kombëtare është shumë e mirë dhe të gjithë jemi të përqendruar te dueli me bullgarët për të dhënë 100%. Në çdo lojë që hyjmë kemi respekt për kundërshtarin, por edhe ata tashmë kanë respekt të madh për ne, ngase e dinë se çfarë ekipi kemi. Realisht kemi sulmues shumë të mirë dhe jemi të bashkuar. Secili futbollist po e pret me padurim ndeshjen, sepse do të luajmë në fushën tonë para tifozëve tanë të zjarrtë, prandaj emocionet janë të mëdha.

Fidan Aliti: Me padurim presim ndeshjen e së hënës, ku sërish presim të kemi mbështetjen e fuqishme të tifozëve tanë. Bullgaria ka ekip shumë cilësor dhe sigurisht se do të jetë ndeshje e vështirë, mirëpo ne po përgatitemi maksimalisht dhe gjërat e mira që i kemi bërë në miqësoren kundër Danimarkës do të mundohemi t’i përsëritim, ndërsa ato që i kemi bërë gabim duhet t’i përmirësojmë. Jemi në një seri të mirë pa humbje dhe tani jemi plotësisht të përqendruar për të dhënë maksimumin në 90 minutat kundër Bullgarisë dhe për ta nisur ciklin kualifikues për Euro 2020 me fitore.