Orav: Kosova ka nevojë për qeveri stabile dhe dialog të vazhdueshëm me Serbinë
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri të qëndrueshme dhe nënvizoi rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ai këto deklarata i bëri gjatë Samiti të Paqes dhe Demokracisë në Kosovë (KPDS) me temën “Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe çmontim i normave demokratike”.
Ai gjatë këtij samiti tha se dezinformimi, polarizimi dhe sulmet ndaj normave demokratike po kërcënojnë themelet e besimit dhe angazhimit qytetar.
“Në të gjithë Kosovën dhe rajonin më të gjerë, shoqëritë po lundrojnë përmes sfidave të paprecedentë. Dezinformimi, polarizimi dhe sulmet ndaj normave demokratike po kërcënojnë themelet e besimit dhe angazhimit qytetar. Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur sot në Samitin për Paqe dhe Demokraci në Kosovë, një mundësi për të vepruar së bashku. Në gjithë Evropën dhe më gjerë, dezinformimi synon të dobësojë besimin në institucione, të polarizojë shoqëritë dhe të shfrytëzojë ndarjet. Këto sfida tejkalojnë kufijtë, dhe Kosova nuk bën përjashtim. Sipas gjetjeve të partnerit tonë, Hybrid.info, dezinformimi dhe ndjenjat nxitëse të tij janë shumë të theksuara, veçanërisht rreth zgjedhjeve dhe çështjeve të sigurisë” tha ai.
Ambasadori theksoi se hapësira informative e Kosovës mbetet e cenueshme ndaj manipulimit dhe ndikimit të jashtëm, ndërsa qytetarët janë të ekspozuar ndaj dezinformimit për shkak të mungesës së edukimit medial sistematik.
“Sipas këtyre gjetjeve, dezinformimi në gjuhën shqipe përhapet kryesisht përmes rrjeteve sociale, ndërsa dezinformimi në disa gjuhë të tjera shpesh shfaqet në mediat tradicionale, me narrativa që shpesh ngjajnë me dezinformimin rus, sidomos në çështjet politike dhe të sigurisë. Si rezultat, hapësira informative e Kosovës mbetet e cenueshme ndaj manipulimit dhe ndikimit të jashtëm. Kërkimet e partnerëve tanë, si ‘BIRN’ dhe ‘Democracy Plus’, tregojnë se mendimi kritik dhe verifikimi i burimeve nuk mësohen në mënyrë sistematike në shkolla dhe nuk janë të integruara në arsimin publik, duke i lënë qytetarët shumë të ekspozuar ndaj manipulimit dhe dezinformimit. Kosova renditet e 40-ta nga 41 vende në Indeksin Evropian të Edukimit Mediatik, që pasqyron një vetëdije të dobët institucionale dhe investime të kufizuara në edukimin medial. Kapacitetet e verifikimit të fakteve mbeten të kufizuara, dhe nuk është miratuar asnjë strategji gjithëpërfshirëse kombëtare për edukimin medial”, tha ai.
Orav nënvizoi rëndësinë e shoqërisë civile dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian.
“Këto sfida kërkojnë jo vetëm vigjilencë, por një përgjigje të sigurt, të bashkuar dhe të udhëhequr nga vlerat, të bazuar në parimet demokratike, transparencë dhe sundimin e ligjit. Shoqëria civile qëndron në vijën e parë të këtij përpjekjeje. Puna juaj, qoftë në gazetari të pavarur, angazhim komunitar, kërkim apo verifikim faktesh, ka qenë thelbësore në forcimin e kulturës demokratike, mbajtjen përgjegjëse të institucioneve dhe ndërtimin e urave ndërmjet komuniteteve. Bashkimi Evropian është krenar që është partneri juaj në këtë mision. Ne do të vazhdojmë të mbështesim një shoqëri civile dinamike dhe të qëndrueshme, e cila është e aftë të rezistojë ndaj manipulimit, të mbrojë normat demokratike dhe të promovojë një debat publik të informuar. Rruga evropiane e Kosovës varet nga këto themele”, tha ai.
Ai bëri thirrje për një qeveri funksionale dhe theksoi nevojën për dialog me Serbinë.
“Për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, mundësia ekziston, por kërkon angazhim serioz. Në këtë kontekst, rruga e Kosovës ka rëndësi të veçantë. Bashkimi Evropian ka qenë i qartë: përparimi varet jo vetëm nga reformat e brendshme, por edhe nga avancimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale, forcimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e lirisë së mediave, sigurimin e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e karakterit shumetnik të Kosovës. Këto nuk janë pengesa të vendosura nga Bashkimi Evropian — ato janë themele për një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë. Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm. Por për të ecur përpara, na duhet qeveria këtu sa më shpejt të jetë e mundur. Na nevojitet një partner. Bashkimi Evropian duhet të mbetet i angazhuar, i qëndrueshëm dhe mbështetës. Dhe ne jemi. Angazhimi ynë ndaj rajonit është thelluar, jo dobësuar. Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në këtë rrugëtim”, tha Orav./Indeksonline/

