75 Mall Live Search
12:39 / E Premte, 04 Shkurt 2022 / OSH

ORCA: 61 për qind e profesorëve të Universitetit në Ferizaj nuk justifikojnë titujt akademikë


Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA thotë se 61% e profesorëve të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj nuk justifikojnë titujt e tyre akademikë, sa i përket kriterit të publikimeve shkencore.

Profesorët e këtij universiteti, sipas ORCA-s kanë publikuar 59 punime shkencore, apo 2.11 punime për kokë profesori.

“57% e profesorëve nuk kanë të botuar asnjë punim shkencor në revista shkencor, si autor i parë ose korrespondent. Për krahasim, 29% e profesorëve në Universitetin e Prishtinës nuk kanë asnjë punim të publikuar si autor i parë ose korrespondent”, thuhet në një raport të publikuar të premten nga ORCA.

ORCA ka theksuar se hulumtimi mbi Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF) ishte sfidues për arsye të siç thuhet, mungesës së transparencës nga ky institucion.

“USHAF është i vetmi institucion publik i arsimit të lartë i cili nuk ka CV të stafit akademik të publikuar në uebfaqe zyrtare. ORCA i është drejtuar USHAF me kërkesë për publikimin e CV-ve konform standardit të vendosur nga universitetet tjera publike. Kërkesa jonë nuk është shqyrtuar. Në vijim i jemi drejtuar Ministrisë së Arsimit, e cila financon drejtpërdrejt këtë institucion të arsimit të lartë, të cilët pavarësisht shqetësimit të tyre lidhur me transparencën e USHAF nuk kanë arritur të realizojnë kërkesën tonë. Hulumtimi është bazuar në platforma publike të produktit shkencor të profesorëve të këtij universiteti”, thuhet në raport.