75 Mall Live Search
10:20 / E Enjte, 31 Gusht 2023 / L K

Orët e fundit të merkatos, Asllani drejt huazimit nga Interi

Merkatoja është në orët e fundit të saj, megjithatë te Interi kanë ndërmend të bëjnë një tjetër goditje. Zikaltrit kanë në dorë dy opsione dhe po negociojnë, teksa një fjalë të rëndësishme në vendimmarrje do të ketë padyshim edhe trajneri Simone Inzaghi.

Kështu Sassuolo, pasi dështoi të shesë Maxime Lopez te Napoli, ia ka ofruar mesfushorin Interit, duke qenë se ai tashmë ka prishur raportet me drejtuesit dhe nuk duket i motivuar për të vijuar karrierën në “Mapei Stadium”.

Opsioni i hedhur në tavolinë nga drejtuesit e Sassuolos është ai i një shkëmbimi huazimesh për një vit mes Maxime Lopez dhe Kristjan Asllanit, me mesfushorin shqiptar që do të kishte mundësinë të luante rregullisht për një sezon në klubin emilian.

Megjithatë vetë Asllani nuk duket i bindur për t’u larguar nga zikaltrit, qoftë edhe në huazim, pasi dëshiron të luajë shanset e tij, ndërsa Simone Inzaghi ka dyshime për fizikun e Maxime Lopez, që është një mesfushor teknik, por shtatshkurtër.