Organizimi i tregut veror dhe dimëror “Akull n’verë dhe Verë n’dimër”, Komuna e Prishtinës fiton betejën ndaj MAPL-së

Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka bërë të ditur para pak minutave se Komuna e Prishtinës ka fituar betejën ligjore përballë MAPL-së për çështjen e organizimit të tregut veror dhe dimëror “Akull n’verë dhe Verë n’dimër”.
Sipas Ramaës tentativat për të bllokuar çdo të mirë që bëhet në Kryeqytet janë bërë të përsëritura dhe gjithnjë e më transparente në motivet e tyre.
Postimi i plotë:
SABOTIMI POLITIK DËSHTOI EDHE NJËHERË. KRYEQYTETI NUK NDALET!
Tentativat për të bllokuar çdo të mirë që bëhet në Kryeqytet janë bërë të përsëritura dhe gjithnjë e më transparente në motivet e tyre.
Përpjekja e Qeverisë për të diskredituar atmosferën festive që me përkushtim u krijua për festat e fundvitit – u rrëzua sot nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një aktvendimi të qartë dhe të argumentuar!
Kallëzimi penal i ngritur nga Ministri i MAPL, Elbert Krasniqi, ndaj Kryetarit të Kryeqytetit Përparim Rama dhe Kryeshefit të NPL “SportMarketing”, Bardh Krasniqi, në lidhje me procedurat e organizimit të tregut veror dhe dimëror “Akull n’verë dhe Verë n’dimër”, u vlerësua si i pabazë dhe u hodh poshtë në tërësi.
Këto përpjekje të organizuara përmes instrumenteve të drejtësisë, të shtyra nga motive të qarta politike, nuk po arrijnë të prodhojnë efektin që synohet – sepse po përplasen me fakte, me profesionalizëm institucional dhe me vlerësimin objektiv të drejtësisë.
Në një kohë kur Kryeqyteti po ecën me projekte konkrete e me vizion të qartë zhvillimi, tentativa për ta ndalur këtë hov me akuza të fabrikuara nuk është vetëm e dështuar, por edhe dëshpëruese.
Veçanërisht kur kjo vjen nga një pushtet qendror që REFUZON të përballet me DREJTËSINË për shkeljet e VETA dhe ndërkohë shfrytëzon mjetet publike për të ndërtuar narrativa politike ndaj institucioneve lokale.
Kjo është një përballje mes dy qasjeve:
📣njëra që ndërton dhe i shërben qytetarit dhe tjetra që ❌bllokon e saboton.
Por drejtësia po e thotë fjalën e saj, qytetarët po e shohin realitetin – dhe Kryeqyteti nuk ndalet.
Vazhdojmë!