75 Mall Live Search
18:13 / E Enjte, 16 Tetor 2025 / Z S

Organizimi po shkon shumë mirë, qytetarët gati për protestën nesër në Tiranë

Nesër më 17 tetor, nga ora 17:00 sheshi “Skënderbej” në Tiranë do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës.

Protesta me moton Liria ka emër, drejtësi për çlirimtarët në Tiranë pritet të jetë  ndër më madhështorët ndonjëherë në përkrahje të krerëve të UÇK-së, me pjesëmarrje të qytetarëve, shoqërisë civile dhe figurave të njohura politike nga trojet shqiptare, raporton KosovaPress. 

Qytetarët nga të gjitha trevat shqiptare po mobilizohen për të marrë pjesë në këtë tubim të cilin e shohin si detyrim moral dhe kombëtar ndaj atyre që udhëhoqën luftën për liri e sot po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Organizimi i protestës është mirëpritur nga qytetarët, të cilët kanë shprehur vullnetin për të qenë pjesë e saj, duke theksuar se nuk do të lejojnë që figura të luftës çlirimtare të stigmatizohen padrejtësisht.

Ata vlerësojnë se kjo protestë është një zë i fuqishëm për drejtësi dhe një thirrje kundër padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së.

Një qytetar që nuk deshi të identifikohej tha se do të jetë pjesë e protestës së madhe më 17 tetor në Tiranë.

“Po, e vërtetoj që do të shkoj… Organizmi duket shumë i mirë. Do të shkoj me shokë, me të gjithë”, tha ai.

Edhe Rishat Ademi thotë se do të jetë pjesë e protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

“Ende nuk kam menduar, mirëpo me shumë gjasë do të shkoj me gruan time. Organizimi po më duket shumë i mirë”, tha Ademi.

Qytetari Nuredin Shala shprehet me plot emocione duke pohuar se do të jetë në sheshin “Skënderbe” nesër nga ora 17:00 në Tiranë përkrah mijëra qytetarëve të tjerë.

Shala: E kemi për detyrë që të shkojmë në mbështetje të krerëve të UÇK-së

“Shpresoj se po, vetëm nëse nuk mundem, dhe do t’i them dikujt të më dërgoj deri në stacion e kemi për detyrë që të shkojmë.Ia vlen organizimi. Edhe nëse nuk ia vlen, ne duhet të shkojmë, sepse askush nuk mund të na ndalojë. Do të shkoj vetëm me gruan”, tha Shala.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, ka njoftuar se Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë ditën e premte, ku janë paralajmëruar se do të kalojnë  nga Kosova drejt Tiranës 60 autobusë.

Ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë dhe ndaj tyre po zhvillohet procesi gjyqësor nën akuzat për kinse për krime lufte, të cilat ata i kanë mohuar./Indeksonline/