08:18 / E Enjte, 26 Tetor 2023 / MSH

Organizohen dy protesta: Njëra në Prishtinë, tjetra në Mitrovicë

Sot do të organizohen dy protesta në vend.

Vendimi i Gjykatës Komerciale në Prishtinë për pezullimin e ndërtimit të “Rrugës A”, ka shkaktuar pakënaqësi  te qytetarët e Lagjes kalabria në Prishtinë,  të cilët kanë thirrur protestë kundër këtij vendimi.

Përmes njoftimit  në Facebook bëhet e ditur se protesta do të mbahet nesër në orën 12:00 në rrugën ‘Ali Vitia’ në lagjen Kalabria.

“Njoftoheni se të enjten më dt. 26.10.2023 do të organizohet protesta paqësore lidhur me pezullimin e projektit në “Rruga A”(Jim Xhema), e cila lidhet me kolektorin në lagjen Kalabria, përkatësisht në rrugën Ali Vitia (tek Viva Fresh)”, thuhet në njoftim.

Në po të njëjtën orë do të protestohet përpara menaxhmentit të minierës “Trepça”, në hyrje të qytetit të Mitrovicës.

“Ata ishin ndër të parët që i thanë stop padrejtësive ndaj shqiptarëve, prandaj është koha jonë të themi stop padrejtësive ndaj minatorëve. Minatorë, Kosova është e juaja e ne jemi me ju”, thuhet në pankartën që njofton protestën.

Tash e disa ditë, minatorët e “Trepçës” janë në grevë, ku po kërkojnë që pagat e tyre të dalin në mes datave 6 dhe 10, të shkarkohet kryeshefi i ndërmarrjes dhe të ketë sigurime shëndetësore.