23:59 / E Martë, 04 Prill 2023 / C E

Osasuna në finale të Kupës së Mbretit, e pret fituesin nga “El Clasico”

Osasuna është skuadra e parë finaliste në Kupën e Mbretit.

Skuadra e drejtuar nga Jagoba Arrasate ia doli që të eliminojë Ahtletic Bilbaon në gjysmëfinale të kësaj gare.

Ndeshja e zhvilluar sonte në “San Mames” përfundoi me rezultatin 1:1, por barazimi nuk ishte i mjaftueshëm për skuadrën e Ernesto Valverdes, që kishte pësuar humbje 1:0 në ndeshjen e parë.

Përballja e zhvilluar sonte u luajt për 120 minuta, pasi koha e rregullt u mbyll me epërsinë e Bilbaos.

Inaki Williams (33’) shënoi për vendasit, që dukej se ishin afër për të dërguar ndeshjen në penallti.

Por, në fundin e ndeshjes u shfaq Pablo Ibanez (116’), i cili shënoi për të dërguar skuadrën e tij në finale.

Osasuna nuk ka fituar asnjëherë trofeun e Kupës së Mbretit, teksa ka qenë njëherë në finale, në sezonin 2004/05, kur ishte mposhtur nga Real Betisi 2:1.

Osasuna në finale do të takohet me fituesin nga përballja mes Barcelonës dhe Real Madridit.

Ndeshja e parë gjysmëfinale mes këtyre dy skuadrave ishte fituar 0:1 nga Barça, teksa ndeshja e dytë apo e kthimit do të zhvillohet nesër mbrëma, në “Camp Nou”.